Nga mali ku Moisiu pa Tokën e Premtuar te Deti i Vdekur, një udhëtim përrallor në Jordani

Nga A2 CNN
15 Prill 2023, 19:43 | Lifestyle

Histori dhe natyrë, gjetje të jashtëzakonshme arkeologjike dhe peizazhe përrallore. Shpallur  si destinacioni më i mirë për vitin 2023 nga Lonely Planet, Jordania po shndërrohet në një nga vendet më të preferuara për turistët. Nga Petra në Detin e Vdekur, nga Amani në shkretëtirën Wadi Rum dhe vendet ikonike si mali Nebo, nga maja e të cilit Moisiu pa Tokën e Premtuar, Jordania u mundëson vizitorëve një aventurë të paharrueshme.  

Aman, "Kryeqyteti i bardhë"

I ndërtuar mbi 7 kodra njësoj si Roma, Amani - kryeqyteti i Jordanisë - është një qytet kontrastesh, me një përzierje magjepsëse ku ndërthuret e lashta me modernen. Qendra me arkitekturën e saj bashkëkohore, restorantet elegante, galeritë e artit dhe kafenetë tradicionale, është një nga zonat më të frekuentuara. Lagjja Jabal Lweibdeh me galeritë e artit; lagjja moderne Abdali; rrëmuja e tregjeve në Xhebel Aman; gjallëria bohemiane e Rrugës së Ylberit, janë disa nga pjesët më të bukura të Amanit. Për të admiruar qytetin nga lart me një shikim të vetëm, ngjituni deri në Citadel, e cila ofron një nga pamjet më të bukura të vendit. 

Um Quais, "Qyteti i gurit të zi"  

Um Quais u ndërtua me gurin e zi të bazaltit, dhe ishte pjesë e konfederatës së 10 qyteteve romake të ndërtuara në shekullin I para Krishtit, për të ruajtur kufijtë lindorë. Për këtë arsye, në thellësi të tokës ende gjenden mbetje arkeologjike romake. Gjithashtu, një eksperiencë interesante është të provoni shijen e vërtetë të kuzhinës vendase në "Qytetin e zi". Familjet vendase do t’ju mirëpresin me tavolinën plot. Falafel, humus, mansaf (oriz, mish qengji dhe kos) mejadra (thjerrëza, grurë dhe qepë të skuqur), fatair (bukë të mbushur me mish dhe domate), si dhe gatime të tjera tradicionale.

"Irisi i zi"

Pasi të mbërrini në Umm Quais, itinerari që duhet ndjekur është ai i "Gjurmës së Jordanit" që nis pikërisht këtu dhe zgjat 680 km. Rruga gjarpëron nëpër 75 fshatra dhe në shumë qytete e fusha, të cilat në pranverë mbushen me bimë e lule të ndryshme. Por ajo që i ka dhënë dhe emrin kësaj udhe, është lulja e Irisit të zi, lulja kombëtare e Jordanisë, që dallon si një lule delikate dhe me aromë të veçantë.

Deti i Vdekur, pika më e ulët në tokë

Është vërtet një ndjesi e çuditshme të notosh sikur trupi të mos kishte peshë. Këtë përjetojnë njerëzit teksa notojnë në sipërfaqen e ujërave të Detit të Vdekur, pika më e ulët në sipërfaqen e tokës, 430 metra nën nivelin e detit. Për shkak të kripësisë së lartë (dhjetë herë më shumë se ajo e deteve të tjera), kushdo mund të qëndrojë pa mundim i shtrirë në ujë e ndoshta edhe duke lexuar një libër. Vetitë e dobishme të ujërave të ngrohta të Detit të Vdekur, të pasura me kripëra të magnezit, natriumit, kaliumit, si dhe baltës së tij, janë vlerësuar që në kohët e lashta, ndërsa tani shfrytëzohen në llixhat e hoteleve që ndodhen në brigjet e tij.

Madaba, "Qyteti i mozaikëve"

I njohur si "Qyteti i mozaikëve", Mabada ruan veprën më fantastike në botë në kishën e San Giorgio që përshkruan Hartën e Tokës së Shenjtë dhe të gjithë Levantit, nga Libani në deltën e Nilit dhe nga Mesdheu në shkretëtirë. Mozaiku, i krijuar midis viteve 542 dhe 570 të erës sonë për një kishë bizantine, ndoshta kishte për qëllim të ndihmonte pelegrinët që shkonin në Jerusalem. Fillimisht, përbëhej nga dy milionë pllaka të rregulluara në një sipërfaqe 15.6 metra të gjatë dhe 6 metra të gjerë, por me kalimin e kohës, shumë pjesë janë dëmtuar.  

Mali Nebo, aty ku Moisiu pa Tokën e Premtuar

Në malin Nebo, një vend i shenjtë, me pamje nga Deti i Vdekur në luginën e lumit Jordan, Moisiu pa para vdekjes së tij, Tokën e Premtuar, të cilën nuk do ta arrinte kurrë. Sot është një vend pelegrinazhi për të krishterët në rrugën e tyre drejt Jerusalemit. Aty është ndërtuar një kishë e vogël për të përkujtuar vdekjen e Moisiut në shekullin e 4-të.

Petra, një nga 7 mrekullitë e botës moderne

Pjesa më e bukur e udhëtimit, sigurisht që janë dy thesaret e famshme të Jordanisë, "Qyteti rozë" i Petrës dhe "Lugina e hënës" Wadi Rum. Si një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Petra reflekton një simbiozë të jashtëzakonshme midis natyrës dhe punës së njeriut. Muret e ndërtesave mbështeten në mënyrë perfekte në shpatet e pjerrëta, duke u bërë njësh me shkëmbinjtë. Ngjyra gjithashtu e njëjtë e fasadave me gurët, ka ndihmuar tregtarët e shekullit të gjashtë të krijojnë një qytet të mbrojtur dhe të vështirë për t’u aksesuar nga të huajt. E aneksuar nga Perandoria Romake në vitin 102 pas Krishtit, Petra filloi të bjerë në shekullin e katërt. Pas një tërmeti dhe ndryshimi të rrugëve tregtare, nga mesi i shekullit të VII-të, gjurmët e qytetit magjik nisën duke humbur. Sekretin e vendndodhjes së saj e ruajtën për shumë gjatë beduinët, të cilët vazhduan të jetonin atje deri në vitin 1812, kur një orientalist zviceran i zbuloi. Menjëherë pas këtij zbulimi, Petra shpejt u numërua si një nga  qytetet më magjepsëse të antikitetit, duke tërhequr turistë nga e gjithë bota.

Wadi Rum, "Lugina e hënës"

E njohur si "Lugina e hënës" për peizazhin e saj madhështor dhe thuajse joreal, shkretëtira Wadi Rum është një hapësirë ​​e pakufishme me rërë të kuqe dhe formacione të jashtëzakonshme shkëmbore të formuara nga uji dhe era. Përgjatë rrugës mund të gjurmohen petroglife të lashta, të cilat u tregonin karvanëve rrugën për të ndjekur për në Arabinë Saudite.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/15/autostrada-e-mbretit-vendi-qe-zbulon-historine-biblike/
https://a2news.com/2022/07/15/ne-hene-apo-ne-mars-dhjete-vende-aliene-ne-planetin-tone/

A2 CNN Livestream

Latest Videos