Sulme kibernetike ndaj supermarketeve në Europë, alarm edhe në Itali

Nga A2 CNN
3 Nëntor 2026, 07:07 | Bota

Sulme kibernetike ndaj supermarketeve në Europë, alarm edhe në

Sulmet kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes në supermarketet europiane janë shtrirë edhe në Itali. Të paktën katër dyqane të rrjetit Coop, tre në Catania dhe një në Palermo, janë goditur nga hakerat, të cilët kanë ndryshuar parametrat e temperaturës së banakëve frigoriferikë, duke shkaktuar mbinxehje dhe prishjen e produkteve ushqimore.

Policia Postare italiane po heton origjinën dhe përmasat e sulmeve, si dhe nëse ato lidhen me incidente të ngjashme në vende të tjera europiane. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike është vënë në dijeni dhe janë aktivizuar protokollet e hetimit.

Raste të ngjashme janë raportuar në Belgjikë, Suedi, Luksemburg, Estoni, Holandë dhe Irlandë, ndërsa në Francë incidenti i parë i përmendur ndodhi më 12 tetor. Autoritetet europiane i kanë cilësuar këto sulme shqetësuese, pasi mund të cenojnë zinxhirin e furnizimit me ushqime dhe sigurinë e konsumatorëve.

Sipas vlerësimeve paraprake, disa prej sistemeve të prekura mund të kenë pajisje të vjetruara ose masa të pamjaftueshme sigurie. Ende nuk ka persona apo grupe që kanë marrë përgjegjësinë për sulmet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos