Nga “Shefi” te “Rrakela”, pseudonimet për njëri-tjetrin të grupit të vrasësve të Sofisë

Nga A2 CNN
19 Prill 2022, 16:13 | Kronikë
Nga “Shefi” te “Rrakela”, pseudonimet për

Policia shkencore, pas hapjes së aparateve celularë të të arrestuarve për vrasjen e Behar Sofisë, ka zbardhur dhe komunikimet mes tyre.

Veç bisedave të shkurtra, ajo që bie në sy janë dhe pseudonimet që ata kanë zgjedhur për njëri-tjetrin. Kështu, Leonard Xhixha, personi i cili ishte në rolin e vëzhguesit të viktimës, kishte ruajtur në aparatin e tij celular numrin e Bujar Lezës me pseudonimin “Qerosi”. Skënder Vathi, i cili deri në këto momente është dhe organizatori dhe porositësi i ngjarjes së rëndë, ishte regjistruar me pseudonimin “Rrakela”.

Ernejt Shyti, ndonëse në rolin e ekzekutorit, kishte marrëdhënie mjaft të ngushta me Xhuliano Vishën. Që të dy me banim në Krrabë të Tiranës, ishin rritur bashkë, ndërsa Shyti e konsideronte atë si një vëlla, edhe pse ishte Visha ai që e çoi drejt kryerjes së vrasjes.

Në aparatin e sekuestruar të ekzekutorit, numri i Xhuljano Vishës ishte regjistruar si “Vllai”. Skënder Vathi ose “Daja”, siç del në aparatet celularë të Xhuljano Vishës, ishte ruajtur dhe me emrin tjetër “Shefi”. Për të arrestuarit, shefi i vërtetë ishte Skënder Vathi, edhe pse ky takoi një person të njohur si Jemin Shera në një nga lokalet e bulevardit.

Gjatë bisedave mes të dyshuarve, prokuroria ka zbardhur dhe momentin kur ata marrin dijeni për arrestimin e Leonard Xhixhës nga mediat dhe prej aty ndërpresin komunikimet.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos