Kjo që lamë pas ishte një prej fundjavave më problematike në futbollin shqiptar. Fushat e lojës janë kthyer në arena boksi, kryesisht në nivelet e ulëta. Duke nisur nga kampionati i të rinjve, me skena aspak të hijshme, në ndeshjen ndërmjet 19-vjeçarëve të Apolonisë dhe atyre të Besës.
Skuadrat e grupmoshave të Fierit dhe Kavajës u përleshën disa herë në fushë, ndërsa ndeshja vendosi edhe një rekord ndëshkimesh. Arbitri akordoi 7 kartonë të kuq dhe 11 kartonë të verdhë, për të gjithë lojtarët e përfshirë në incidente.
Ngjarje e papranueshme edhe në ndeshjen e Kategorisë së Dytë, Këlcyra-Maliqi, ku lojtari i miqve Arlind Xaka u dhunua dhe përfundoi në spital me nofull të thyer. Drejtuesit dhe stafi teknik i Maliqit akuzuan se lojtarët e tyre rrezikuan jetën. (A2 Televizion)