Nis takimi i dytë Ukrainë-Rusi në kërkim të paqes, bisedohet për korridorin humanitar

Nga A2 CNN
3 Mars 2022, 16:29 | Bota
Nis takimi i dytë Ukrainë-Rusi në kërkim të paqes,

Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës janë takuar në kufirin bjellorus, në raundin e dytë të bisedimeve për armëpushim. Pas shume orëve paqartësi e dyshime nëse takimi do të mbahej, diplomatët e Kievit mbërritën me helikopter në rajonin e Brest.

Mediat ruse shkruajnë se diskutimi do të fokusohet tek krijimi  i korridoreve humanitare. Ministria e Mbrojtjes në Moskë njoftoi se do të ndalte luftimet për të lejuar largimin e civilëve.

"Jemi të gatshëm të krijojmë korridore humanitare kudo", tha Sergey Shoigu.

Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës kanë po të njëjtën përbërje si në raundin e parë. Ndërkohë, përpara takimit, shefi i delegacionit rus Vladimir Medinski tha se do të diskutohen çështje ushtarako-teknike, humanitare dhe politike. “Po punojmë për tre propozime”, u tha gazetarëve. Ndërsa këto janë planet kur palët janë ulur në tryezë.

Ukraina kërkon ndalim të menjëhershëm të sulmeve, armëpushim, hapjen e korridoreve për evakuimin e civilëve nga qytetet e bombarduara.

Ndërsa pozicioni i Rusisë nuk ka ndryshuar që nga dita e parë: Ukraina duhet të “demilitarizohet” dhe të “denazifikohet”. Gadishulli i Krimesë, i aneksuar nga Rusia në vitin 2014, duhet të njihet si pjesë integrale e saj. Dy krahinat separatiste në Ukrainë, Republika Popullore e Luhanskut dhe Republika Popullore e Donetskut, të njihen si të pavarura zyrtarisht. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos