
Shqipëria ka nivelin më të ulët të sigurimit bujqësor dhe për këtë Avni Ponari, drejtues i Sigal Uniqa Group Austria, deklaroi në studion e “A2 Business” se kjo ka disa arsye, por themelore është kultura e ulët e shqiptarëve.
“Nuk është thjesht produkti bujqësor, por në këtë nivel është e gjithë ekonomia shqiptare 35-40 euro për frymë në vit kur rajoni ka mbi 100 dhe në vendet europiane ka mbi 3 mijë euro në vit prime sigurimi. Kjo ka disa arsye, por themelore mbetet kultura e pakët e shqiptarëve në tërësi. Marrja e përgjegjësive nga qeveria e cila ka kërkuar në të gjitha rastet e fatkeqësive ka qenë pranë tyre dhe fermerët e mbajnë mendjen nga shteti. Vijmë nga një sistem diktatorial ku çdo qytetar mendon se do t’ia zgjidhë shteti”.
Ai thotë se primet e sigurimit për kulturat bujqësore janë mjaft të ulëta dhe janë disa lloj skemash, por Shqipëria është shumë larg asaj që kërkohet.
“Primet e sigurimit për kulturat bujqësore janë tarifa mjaft të ulëta. Nëse për një apartament primi është 50 mijë lekë të vjetra në vit, kaq është edhe për tokat bujqësore që mund të përmbyten. Ka disa lloj skemash për sigurimet. Nuk mund të marrësh në sigurim një shtëpi apo objekt që përmbytet çdo vit se ai është i ekspozuar. Po të shohësh hartën Shqipëria është zonë e kuqe nga veriu në jug për shkak të përmbytjeve dhe tërmeteve. Ne jemi shumë larg asaj që kërkohet apo që është e domosdoshme për ta bërë. Një vit që e morën fals përfituan, vitin e dytë që duhet të paguanin vetë, nuk pranuan”.
Sipas Ponarit, tregu i sigurimeve ofron të gjitha llojet e mbulimeve për bujqësinë nga fatkeqësitë natyrore.
“Tregu i sigurimeve është i konsoliduar dhe ofron të gjitha llojet e mbulimeve për bujqësinë. Ka mundësi që fermerët të kenë mundësi për të mbijetuar dhe mos u rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore. Duke marrë pjesë të gjithë, blejnë në tregje ndërkombëtare risigurime aq sa është vlera apo rreziku i mundshëm në Shqipëri. Përcaktohet primi vjetor dhe tarifa specifike për të blerë në tregjet ndërkombëtare. Vetë shteti mund të blejë rreziqe katastrofike në tregjet ndërkombëtare. Tregjet e sigurimeve mbulojnë jo vetëm rreziqet katastrofike që janë të përcaktuara, por edhe sasinë e prodhimit në çdo vit. Kjo është një eksperiencë e madhe në botë. Ne jemi vend i vogël që ka më shumë potencial dhe mundësi manovrimi dhe gjetje rrugësh për ta bërë këtë. Është thjesht ndërtimi i programeve dhe strategjive për ta mbështetur dhe për t’i dhënë mundësi fermerit”.
Ponari thekson që sigurimi nuk duhet të jetë i detyrueshëm me ligj por sugjeron që çdo qytetar të mund të marrë pjesë në rreziqe katastrofike. Ai pranon që modelet e fermerëve që sigurohen ekzisztojnë në Shqipëri.
“Sigurimi nuk duhet të jetë i detyrueshëm, është pjesëmarrje në rreziqe katastrofike ku merr pjesë çdo qytetar me 2, 5, 10, 15 euro por jo ligj i detyrueshëm. Nëse ti paguan 15 euro ti paguan jo vetëm për vete, për shtëpinë tënde por edhe për atë që përmbytet dhe katastrofa dhe bën të mundur mbulimin nga rreziqe katastrofike, një modul ky që e kanë bërë shumë vende. Ka dhjetëra fermerë dhe ferma që sigurohen çdo vit. Nuk mund të them që Shqipëria nuk ka eksperiencë në këtë fushë, ekzistojnë sigurimet”.
Për kreun e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj, problemi i mos sigurimit është ekonomik pasi, shumica e fermerëve nuk ta përballojnë primin. Sipas tij duhet kombinim fermer-shtet-donator.
“Është problem ekonomik, për shumë ferma tonat, se nuk fitojnë asgjë, se shumica janë me humbje gjatë gjithë kohës. Por jam dakord që është çështje mentaliteti, por nëse formalizohemi mund të përballojmë një pjesë të primit. Një 18 % janë të siguruar dhe ky nuk mund ta përballojë i vetëm primin. E dyta ka të bëjë me kombinim dhe praktikat e mira. Aktori i parë është fermeri, i dyti shteti dhe i treti donatori. Nëse këta aktorë bashkohen do të krijojnë një strategji, por nëse nuk bëjmë një ligj për siguracionin është e pamundur që të themi se do ta paguajë fermeri nuk mund ta paguajë fermeri”.
Për ekspertin Uran derri problem është informaliteti dhe një sërë faktorësh që nga mos subvencionimi dhe mbështetja në bujqësi. “Është një kompozim faktorësh. Aspekti i mentalitetit ndikon shumë po nuk besoj që kjo qëndron te sektori i bujqësisë. Faktori kryesor është mos subvencionimi e mos mbështetja ndaj bujqësisë. Ata nuk përballojnë dot asnjë lek shtesë. Primi nuk është 50 mijë lekë të vjetra, por përcaktohet në bazë të riskut. Fermeri është i pasiguruar. Problem është informaliteti”.
Kurse eksperti Ilir Pilku nuk e shikon problemin tek informaliteti. “Unë nuk jam dakord me çështjen e informalitetit toka bujqësore rreth 20% është e paazhornuar, familjet bujqësore kanë regjistrat kadastralë e niptet dhe kaq është e majftueshme për sigurimin në bujqësi”.
Ndërsa kreu i Emergjencave Civili Haki Çako apelon për marrjen e përgjegjësive të gjithsecilit në rast fatkeqësie natyrore. “Nuk mundet që një shoqëri e tërë të mos sigurojë asgjë. Do të dojë kohën e vet se është një zinxhir i tërë. Të ndërgjegjësohemi që kur ndodh fatkeqësi natyrore të marrim përgjegjësitë. Duhet të jemi të gjithë përgjegjës”. (A2 Televizion)