
Për kryetarin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj, shqetësimi kryesor nga përmbytjet e ditëve të fundit, është që këto toka nuk rikthehen më në aktivitet prodhues për këtë vit dhe shumica e prodhuesve detyrohen të largohen nga vendi, pasi ndodhen në vështirësi për shkak të kredive apo borxheve. Në studion e A2 Business, ai tha se këta fermerë e shohin veten të pambështetur nga qeveria dhe kompensimi nuk e përballon dot dëmin e shkaktuar.
“Kjo nuk është hera e parë që ndodh por ata janë të shqetësuar për atë që i pret më mbrapa se shumica e tyre nuk rikthehen më në aktivitet prodhues. Ne nuk po i parandalojmë dot. Familjet që pësojnë këto dëme kanë kredi apo borxhe në këto momente ndodhen në vështirësi dhe një pjesë e tyre largohen nga vendi për emigracion dhe ky ka qenë shqetësimi ynë kryesor. E dyta e shohin veten të pambështetur dhe masa e kompensimit është e tillë që nuk e përballon dëmin në asnjë kohë e masë. Buxheti për kompensim ose nuk do jepet në kohën e duhur, ose nuk do të jepet fare. Aty ku kalon përmbytja dhe rikthimi në normalitet ky sezon është i humbur për ta, pas tërmetit, pandemisë e konjukturës së çmimeve e bëjnë këtë të pamundur. Me atë buxhet dhe infrastrukturë do të kalojë kolpo më të mëdha”.
Sipas Rrapajt kompensimi nuk është zgjidhja, por duhen investime paraprake në buxhet dhe infrastrukturë. Ai thotë se duhet të rikthehen në punë specialistët e institutit të dikurshëm që merrej me këtë fenomen.
“Dëmet nuk janë vetëm nga lumenjtë, dëmi në bagëti e toka e fermerëve është më i madh se ai i shkaktuar nga lumenjtë, por dëmi është më i madh në pjesën tjetër të bujqësisë dhe blegtorisë. Praktika ka treguar se kompensimi nuk është zgjidhja investime paraprake, buxheti dhe infrastruktura dhe masat janë zgjidhje. Ka patur institut me specialistë që është marrë me këtë problem. Është e domosdoshme t’i kthehemi praktikës së dikurshme dhe ata njerëz duhet aktivizuar se kapriçot e motit do të përkeqësohen”.
Ai i kërkoi kreut të Emergjencave Civile që para se të miratohet strategjia për mbrojtjen civile, të përfshihen në një kapitull përmbytjet dhe pasojat nga kushtet e motit, që të përcaktohet realisht situata ku ndodhemi. (A2 Televizion)