
Shqipëria renditet ndër vendet e para në Europë që preket nga fatkeqësitë natyrore. Përmbytjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar shumë dëme te fermerët. Në studion e A2 Business, kreu i Emergjencave Coivile Haki Çako tha se përmbytjet janë prioritet i qeverisë dhe po harton strategji kombëtare për zvogëlimin e riskut.
“Qeveria ka ndërmarrë reformë për zvogëlimin e riskut dhe në ligj janë parashikuar direktivat e BE, në bazë të analizave të bëra në vend. Faktorët janë të shumtë. Shqipëria është e ekspozuar jo vetëm për problematikat por edhe pozicionit gjeografik e hidrik ku prej 30 vitesh investimet kanë qenë jashtë vëmendjes. Janë miratuar elementët për të hartuar strategji kombëtare për zvogëlimin e riskut”.
Pas tërheqjes së ujit nga zonat e përmbytjeve kryesisht në Fier dhe Vlorë, Çako tha se do të bëhet vlerësimi i dëmeve. Sipas tij disa zona janë jashtë vijave të verdha për ndërtime.
“Fatkeqësitë natyrore prevalojnë mbi të tjerat, se edhe lumenjtë kur dalin nga shtrati bëhen prezent te zonat e fermerëve dhe zona të banuara që janë jashtë vijave të verdha apo zonave urbanistike. Janë jashtë kuotave për të qene zona ndërtimi e urbane. Reshjet e ditëve të fundit që sollën vërshimin e lumi Vjosa angazhuan të gjithë strukturat, por është faza e vlerësimit të dëmeve. Këtë herë ndonëse pati kapacitet ekstremisht të lartë nuk prodhoi pasoja të jashtëzakonshme falë investimeve të qeverisë në argjinaturat e Fierit dhe Vlorës, që mundësuan futjen në korridor. Kanë qenë 30 banesa në të dy njësitë administrative të bashkive. Banorët janë rikthyer në banesa. Por ndonëse uji është tërhequr, pritet të thahet plotësisht për vlerësimin e dëmeve”.
Në lidhje me kompensimet Çako tha se modalitetet janë të përcaktuara për çdo rast. Sipas tij janë akumuluar 7.5 milionë euro dhe vit për vit planifikohet buxhet për t’ i kompensuar dëmet.
“Ngatërrohet kompensimi me dëmshpërblimi. Qeveria dhe shteti nuk bëjnë dëmshpërblim, por kompensim. Sa para do marrin? Modalitet janë të përcaktuara, janë dosjet për çdo rast. Janë detyrime e debi që u përkasin qytetarëve. Ne kemi të akumuluara 7. 5 milionë euro dhe vit për vit planifikojmë pjesë të buxhetit për t’i kompensuar ato për të gjitha dëmet e shkaktuara. Këto datojnë që nga viti 2010. Ligji ka adresuar kompensimin te pushteti vendor. Është një nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri më pas vijnë zjarret e tërmetet”.
Sa i takon ligjit për mbrojtjen civile, Çako theksoi se ai është i ndërtuar në bazë të disa direktivave që lidhen me shumë investime, por deri më tani janë identifikuar zonat e riskut të lartë dhe po punohet për të përcaktuar qartë riskun.
“Ligji për mbrojtjen civile është ndërtuar në disa direktiva, por çështja e direktivave të BE lidhet me shumë investime, jo vetëm buxhetore por me përcaktimin e zonave të rrezikut dhe përmbytjes që janë duke u suportuar nga BE. Po punojmë për strategji kombëtare për zvogëlimin e riskut. Me urdhër të kryeministrit janë bashkuar institucionet me ekspertët më të mirë. Janë identifikuar zonat e riskut të lartë. Nëse merremi me rezervuarët apo të tjerë që nuk përbëjnë rrezikun kryesor të përmbytjeve është çështje tjetër. Ne flasim për përmbytjet nga vërshimi i lumenjve si Vjosa, Drini, Buna, Ishmi Erzeni dhe për këto po punohet intensivisisht nga institucionet për të përcaktuar qartë riskun. Pa qenë i qartësuar nuk mund të investosh dhe nuk mund të krijosh programe”. (A2 Televizion)