Kafaraj, zona më e prekur nga përmbytjet, Pilku: 300-400 mijë euro dëm një kultivuesi

Nga A2 CNN
15 Dhjetor 2021, 21:38 | Ekonomi
Kafaraj, zona më e prekur nga përmbytjet, Pilku: 300-400 mijë

Zona më e prekur nga përmbytjet e dhjetorit të këtij viti është ajo e Kafarajt në Qarkun e Fierit, si edhe ajo e Kutallisë dhe Goriçanit. Kjo u deklarua në studion e A2 Business nga eksperti i Ekonomisë Ilir Pilku, sipas të cilit një kultivuesi luleshtrydhesh i është dëmtuar 50% e prodhimit duke i shkaktuar 300-400 mijë euro dëm vetëm prodhim, pa llogaritur kostot e tjera. Ai tha se humbej të mëdha ka edhe në sera që kultivohen perime.

“Zona më e prekur është e Kafarajt ku janë 120 ha me luleshtrydhe, janë sera në formë tunelesh me luleshtrydhe ku fatmirësisht rreth 30-40% e këtyre serave është me luleshtrydhe që kultivohet me parë dhe tani ka sezonin e vjeljes. Afërsisht për një kultivar ka një dëmtim 50% të prodhimit dhe përllogaritja që unë bëj është 300-400 mijë euro vetëm prodhim. Dëme të tjera janë plastmasi i serave. Përpos serave normale që kultivojnë perime në Kutalli e Goriçan janë 30 ha në dy grupe; një grup që ishte në vjeljet e fundit të produktit, për festa. Ka humbje për serat që kanë mbjellë prodhimin për marsin dhe prillin. Janë 30 ha të përmbytura”.

Për këtë situatë Pilku e vë gishtin te mos funksionimi i institucioneve dhe mungesa e një plani për menaxhimin e fatkeqësive, pasi sipas tij kompensimi nuk është zgjidhje për të menaxhuar riskun.

“Ne nuk kemi harmonizim të mirë të institucioneve dhe buxhete që i përket Ministrisë së Bujqësisë dhe institucioneve vartëse të saj, pushtetit lokal e bashkive në kërkesën e llogarisë në kolaudimin e veprave publike. Kanalet kulluese e hidrovore që në ‘96 nuk është vënë më dorë, riparime të pjesshme. Nuk kemi master plan për menaxhimin e fatkeqësive natyrore ku dhe si do bëhen ndërhyrjet”.

Pilku thekson që nëse Ministria e Bujqësisë do të kishte një buxhet më të mirë për planin e ujitjes dhe kullimit sot do të kishim rreth 130 ha tokë më shumë në kanale kulluese e vaditëse.

“Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë është 2.2 më pak se vitin e kaluar. Nëse do të kishim një buxhetim të mirë dhe plan ujitje e kullim do të kishim sot rreth 130 ha tokë më shumë në kanale kulluese e vaditëse , do të kishim një përthithje me të mirë të ujit. Kemi sot një klimë jo të mirë për fermerët. Kompensimi nuk është instrument primar, por veprat që funksionojnë për të menaxhuar riskun”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos