Makinat “Lamborghini” janë ëndrra e shumë të rinjve, por jo vetëm. Të shpejta, luksoze, por shpesh me çmime të kripura. Tashmë, kompania italiane ka menduar të shkojë më tej, duke projektuar një jaht superluksoz, i cili do të bëhet dëshira e shumë pasanikëve në botë.
Projekti është quajtur “Tecnomar for Lamborghini 63” dhe është frymëzuar nga “Lamborghini Sian FKP 37”, supermakina e parë hibride e kompanisë. Ai është një projekt i përbashkët mes kompanisë së makinave dhe asaj të jahteve “Sea Group”.
Jahti do të jetë i gjatë rreth 20 metra dhe do të peshojë gati 24 tonë. Ai do të vihet në lëvizje nga dy motorë V12, përkatësisht me nga 2 mijë kuaj fuqi, të cilët mund të arrijnë një shpejtësi në det deri në 70 milje në orë.
“Nëse do të kisha imagjinuar një Lamborghini mbi ujë, ky do të ishte vizioni im. Jam i lumtur që festoj këtë bashkëpunim të suksesshëm”, është shprehur drejtori i kompanisë italiane, Stefano Domenicali.
Aktualisht është vetëm një projekt, por të paktën sipas “Daily Mail”, ky jaht do të jetë i gatshëm të dalë në shitje që vitin e ardhshëm. E nëse mendoni se me pak sforco mund të jeni edhe ju pronar i një jahti të tillë, duhet ta harroni pasi çmimi i tij do të jetë jo më pak se 3,4 milionë dollarë! (A2 Televizion)