Një parazit seksual, peshku “vampir” që jeton në zonën e errët të oqeaneve

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2023, 18:20 | Lifestyle

Një udhëtim në thellësitë e deteve ka nxjerrë në dritë një specie të re peshku, i cili për shkak të metodave të çiftëzimit ka marrë nofkën peshku vampir.

“Ndonjëherë e përshkruaj këtë peshk si një patate satanike”, thotë për “The Guardian” James Maclaine, anëtar i ekipit të kuratorëve në Muzeun e Historisë së Natyrës në Londër. Ky peshk i quajtur në anglisht “anglerfish” e josh prenë e tij duke varur para dhëmbëve copëza mishi.

Këto peshq jetojnë zakonisht në zonën e errët të oqeanit, mes 1000 dhe 4000 metrave, aty ku njeriu ka ende shumë për të zbuluar. Shumica e tyre kanë gojë dhe kokë shumë të madhe dhe trup të vogël.

Por nëse mënyra sesi ushqehen ju duket e veçantë, prisni sa të mësoni sesi riprodhohen. Disa specie të anglerfish kanë zhvilluar një metodë të re të etiketuar nga studiuesit si parazitizëm seksual. I pari që e zbuloi këtë ishte Charles Tate Regan në vitin 1995. Ai dhe ekipi i tij panë disa peshq të vegjël që ishin kapur pas peshkut të madh. Fillimisht ata menduan se ishin të vegjlit të kapur pas nënës. Por në fakt ishin meshkuj që në momentin e riprodhimit kafshonin femrën dhe pasi ajo lëshonte vezët i fekondonin.

Disa specie të tjera, si ai i quajtur “Djalli i detit”, mashkulli ngjitet pas femrës, trupat e tyre bashkohen në një të vetëm dhe vetëm atëherë ai bëhet i pjekur seksualisht. “Ai lidhet me sistemin e enëve të gjakut të peshkut femër dhe ushqehet me të, si një vampir”, thotë Maclaine. Kjo metodë ekstreme riprodhimi është filmuar për herë të parë në natyrë në vitin 2018. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos