Shtëpitë e lashta italiane me të cilat bëhej “evazion fiskal”

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2023, 15:33 | Lifestyle

Alberobello në Itali, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, tërheq turistë nga e mbarë bota që admirojnë bukuritë e veçanta të qytetit, por sidomos arkitekturën e rrallë të banesave.

Shumë pranë qytetit të famshëm Puglia, Alberobello është bërë i famshëm pikërisht për mrekullitë e lashta të quajtura trullo: kasolle të vogla guri me çati në formë koni. Këto banesa gjenden në të gjithë luginën e Itrias në Itali, ku numërohen më shumë se 50.000  të tilla. Ndërsa në Alberobello gjenden afërsisht 1500 trullo, të shpërndara nëpër rrugët e ngushta me kalldrëm. Shumica prej tyre janë shndërruar në dyqane, restorante, por edhe në hotele dhe bujtina për vizitorët.

"Trullo-t janë simbol i kulturës mesapiane dhe janë të pranishme veçanërisht në rajonet e Pulias. Mesapianët ishin pjesë e fiseve italike dhe u vendosën në këtë rajon gjatë epokës së hekurit (1200-550 p.e.s). Megjithëse nuk ka një ide të qartë se kur u ndërtua trullo-ja e parë, shumica e burimeve tregojnë se janë mijëravjeçare. Origjina e emrit të tyre gjithashtu mbetet e pasigurt, megjithëse disa kanë spekuluar se fjala trullo vjen nga turis ose trulla, që latinisht do të thotë kube. Të tjerë gjuhëtarë sugjerojnë se trullo vjen nga thòlos, termi grek për varrim."

Annunziata Berrino, historiane

Historiku i ndërtimit të trullo-ve

Për historianët, këto banesa u ndërtuan fillimisht si një strehë e përkohshme për barinjtë dhe kafshët, veçanërisht gjatë verës. Ato u ndërtuan nga gurë që vendasit i hiqnin nga tokat shkëmbore ku mbillnin më pas ullinj dhe rrush. Me kalimin e kohës, këto kasolle filluan të funksionojnë si hapësira magazinimi për pajisjet e fermës dhe dalëngadalë si shtëpi të përhershme për fermerët dhe pronarët e vegjël të tokave.

Interesant është fakti se këto ndërtime i kanë rezistuar kohës, pavarësisht se janë ndërtuar me teknika parahistorike. Ndryshe nga sot, ndërtuesit nuk përdornin çimento, por bazoheshin vetëm tek aftësitë për t’i vendosur gurët në mënyrë të tillë që të formohej një strukturë e qëndrueshme. Gurët që përzgjidheshin ishin ato gëlqerorë, të cilët e mbanin strukturën të freskët në verë dhe të ngrohtë në dimër. Me kalimin e kohës, muret lyheshin vazhdimisht me gëlqere për të parandaluar shtimin e insekteve. Pjesa më unike e një trrullo, sigurisht është çatia konike. Për ta ndërtuar, fillimisht vendoseshin katër blloqe kryesore në bazë, më pas ngrihej kupola 3-pjesëshe, në qendër të së cilës qëndronte një shtyllë vertikale po ashtu prej guri. Ndërsa maja e çatisë dekorohej në forma të ndryshme.

Legjenda thotë se ndërtimi pa llaç i këtyre kasolleve shërbente edhe për një qëllim tjetër. Ferdinand l, sundimtari i Mbretërisë së Napolit (1458-1494), i dhuroi familjes Acquaviva një çiflig të madh - Alberobello sot - si shpërblim për luftimet në kryqëzata. Familja lejoi grupe të vogla të vendoseshin atje për të punuar tokën në këmbim të disa privilegjeve. Megjithatë, meqenëse feudalët duhej të paguanin taksa për vendbanimet, familja Acquaviva urdhëroi punëtorët të ndërtonin strehën e tyre dhe të paguanin taksat. Fshatarët nisën të rrëzonin banesat e tyre përpara se të vinin taksambledhësit e mbretit dhe i rindërtonin ato menjëherë pasi largoheshin. Kjo zonë vazhdoi të lulëzonte gjatë shekujve dhe popullsia në rritje vazhdoi të ndërtonte këto banesa me po këtë stil.

Për shkak se këto ndërtesa në Alberobello konsiderohen unike dhe jetike për trashëgiminë kulturore të rajonit, Italia i ka mbrojtur ato që nga viti 1909, duke i shpallur monumente trashëgimie. Sot, është e paligjshme prishja, rindërtimi ose shtimi në një trullo, si dhe ndërtimi i një imitimi. Legjislacionet lokale gjithashtu kanë nxjerrë rregulloret se si duhet të mirëmbahet dhe restaurohet një trullo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos