
Lionel Messi shënoi një gol në fitoren e Barcelonës kundër Eibar këtë të diel në “Camp Nou”, duke realizuar kështu golin e 400-të në La Liga me fanellën blaugrana. Ajo çka e bën edhe më fantastik rekordin është se shifra është realizuar në vetëm 435 ndeshje të luajtura.
Argjentinasi bëhet kështu i pari lojtar që shënon 400 gola në vetëm një prej pesë kampionateve kryesore në Europë, por sa i përket numrit të golave të shënuar në total në këto kompeticionet, ai mbetet pas Cristiano Ronaldos.
Portugezi ka realizuar 409 gola në 507 ndeshje të zhvilluara në Angli, Spanjë dhe Itali. Megjithatë, numri 10 i katalanasve mund të ngushëllohet me faktin se e ka arritur këtë rekord me 63 ndeshje më pak të luajtura se sa Ronaldo.
Ai rrit edhe më shumë diferencën me ndjekësit si golashënuesi më i mirë në historinë e kampionatit spanjoll, i ndjekur nga Ronaldo me 311 gola në 292 ndeshje, dhe Telmo Zarra, me 251 gola. (A2 Televizion)