Një shans i dytë për këto kafshë të braktisura dhe në nevojë është pikërisht kjo strehëz, e ndërtuar posaçërisht për to. Standup1. Këtu ushqehen dhe kurohen mbi 300 kafshë, ku pjesa më e madhe janë qen dhe mace, por nuk mungojnë edhe kuajt, delet, etj. Gjithçka survejohet nga të paktën16 kamera sigurie. Pronare është Maria Media, një zonjë nga Zvicra, e cila ka më tepër se një dekadë që jeton në Shqipëri. Por si e nisi ajo këtë iniciativë?
“Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, pashë shumë kafshë të plagosura. Te ne kjo nuk ekziston. Fillova të marr kafshë dhe në pak kohë shtëpia dhe kopshti ishin plot, kështu që dhe vendosa të hap një qendër. Bëra dokumentacionin, sipas ligjeve në fuqi, mora licencën, numër NIPT-i dhe gjithçka që duhej dhe këtë qendre kam prej 14 vitesh”, tregon ajo për A2.
Një prej kafshëve të saj më të dashura është ky qen me probleme tek kockat. “Ky është Paul. Disa të huaj që ishin me pushime në Berat panë që nuk mund të ecte, pasi ai ka një defekt tek kockat. Kockat e tij rriten pa ndalim dhe kjo do të thotë që këmbët deformohen gjithnjë e më shumë, por me ilaçe rritja e kockave avancon më ngadalë. Sot ai ecën, është i kënaqur dhe luan në mëngjes kur është pak freskët. Ai do të qëndrojë këtu gjithmonë, nuk ja japim askujt, pasi ka nevojë për ilaçe për të gjithë jetën”.
Prej thuajse një viti, kësaj qendre i është bashkuar edhe një 20-vjeçare nga Hamburgu i Gjermanisë, e cila mesa duket ka ndërmend të jetojë përgjithmonë në Shqipëri. “Në shtator isha me pushime në Durrës dhe pashë shumë qen që ishin në rrugë. Ditën e dytë që kisha nisur të pushoja erdha këtu që të sillja një qen dhe pjesën tjetër të pushimeve e kalova këtu. E dua Shqipërinë, prandaj dua të qëndroj këtu përgjithmonë. Do të përfundoj edhe një vit të Universitetit në Gjermani dhe do të kthehem sërish për kaluar pjesën tjetër të jetës për të ndihmuar kafshët. Është shumë e rëndësishme të ndihmosh kafshët që të jetojnë, pasi në rrugë nuk kanë asnjë shans. Mendoj që është shumë e rëndësishme që Maria u dha atyre një shtëpi”, thotë ai. “Balu ka lindur me një defekt tek këmbët. Ai është gjetur në rrugë dhe histori të tilla ma thyejnë zemrën, pasi mendoj se ato janë kafshët më të dashura. Në Gjermani kam punuar me njerëz me aftësi të kufizuara dhe mendoj se këta lloj njerëzish apo kafshësh japin më shumë dashuri. Është shumë e trishtueshme që njerëzit i hedhin një rrugë këto kafshë dhe nuk e mendoj mënyrën sesi njerëzit mendojnë për to. Balu është 5 vjeç dhe mendoj se është shumë i bukur dhe i dashur. Ai nuk i sulmon njerëzit dhe nuk do t’i kafshojë ata, siç mendojnë të gjithë kur i shohin këtu dhe kjo është e gabuar. Mendoj se çdokush e meriton një shans të dytë”.
Një nga këto ndarje është 5 metra e gjatë dhe 4 të gjera, ndërsa rrinë maksimumi 6 qen. Maria u jep shumë rëndësi hapësirave. Ustallarët po ndërtojnë të reja. Maria shpjegon më tepër detaje rreth ndihmës që u jep këtyre kafshëve. “Kjo qendër është për kafshët që kanë nevojë për ndihmë. Për shembull janë disa gomerë që nuk shikojnë, ose disa kuaj që kanë shpatullën të nxjerrë apo janë të vjetër në moshë dhe nuk munden të shfrytëzohen më për punë. Në vitet e para i hodhën në rrugë dhe sot njerëzit vijnë dhe më pyesin nëse kam vend për të mbajtur kafshë. Tek ne kafshët e kanë si pension. Këta që janë në stallë do të rrinë këtu dhe nuk dalin më, as për punë dhe as për tek kasapi, por dalin vetëm kur ngordhin. Qentë dhe macet i kurojmë, janë të sterilizuar, të vaksinuar, kanë një mikroçip, janë të regjistruar në sistem dhe këta shkojnë për adoptim”.

Por si funksionon procesi i adoptimit? “Ata që kanë një handikap, këtu në Shqipëri kanë pak shanse, prandaj dalin jashtë vendit, pasi kam shumë miq, që i marrin. I adoptojnë në Zvicër, në Gjermani, në Austri, kam qen edhe në Kanada apo vende të tjera. Kafshët i marrin vetëm familjet. I bëjmë ne gati këtu. Kur marrim një kafshë nga rruga që nuk ka shumë probleme, duhen 6 muaj përkujdesje. Nëse ka vendojë për kurim, kalojnë edhe 6 muaj të tjerë, kalojnë në klinika veterinare dhe më pas përgatitet dokumentacioni për t’i nxjerrë jashtë, pasi kur i adoptojnë, u bëjmë testin e gjakut dhe gjithçka tjetër që nevojitet”.
Një shembull konkret është një qen që do të shkojë tek një familje gjermane. “Kjo është Palma. Palma është një mezzo border, që do të thotë një qen të ruan delet, por është racë e qenve të vegjël, që përdoret tek ne. Bëmë gjithçka për të, sterilizimi, kurat dhe këtë vit, sapo të hapen kufijtë, do të shkojë tek një familje, në Gjermani. Megjithatë, duket se pjesa më e madhe e këtyre kafshëve adoptohen këtu, brenda vendit. 85deri 90% të kafshëve i japim këtu në Shqipëri për adoptim dhe i kontrollojmë në vazhdimësi. Kemi shumë njerëz të mirë, më dërgojnë foto të kafshëve. Kur kalon Klodi tek shtëpitë e tyre, u bën foto dhe mi dërgon. Pjesa më e madhe e kafshëve adoptohen këtu, pasi edhe jashtë vendit është plot me kafshë, kështu që është e kotë ta mbushim më tepër. Kur i adoptojnë jashtë, i dërgojmë vetëm tek familjet, jo tek qendra të tjera”.

Por cili është Klodi që Maria e përmend shpesh, djaloshi me origjinë nga Poliçani, që prej vitesh i është bashkuar asaj? Ai shpjegon më tepër detaje rreth qendrës dhe duket se kjo eksperiencë e ka bërë ta përjetojë më tepër realitetin e hidhur shqiptar, ku keqtrajtimet ndaj kafshëve nuk mungojnë. “Është e kotë që t’i keqtrajtoni kafshët. Njerëzit këtu thonë që kafshët janë diçka e keqe dhe i sulmojnë, por kafshët nuk i sulmojnë të gjithë njerëzit, por vetë mata që u bëjnë diçka. Por këta njerëz janë të ligj. Kam parë qen, që i kanë lidhur pas makinës, që ishin në kushte të vështira, qen të lidhur në pemë, me bark të hapur dhe që ishin në jetë apo qen të helmuar. Kam parë shumë gjëra këtu. Atyre që nuk i duan qentë apo macet u them që i lini të jetojnë, sepse ato nuk bëjnë asgjë, pa filluar më parë njeriu të bëjë diçka. Është si tek njerëzit, nëse unë do të të qëlloj me grusht, do vijë një ditë që t’i do ma kthesh. Kështu funksionon edhe tek kafshët”.
Zara është një pelë 5 vjeçe dhe pronari i saj, nga Elbasani, e solli para 2 vitesh në këtë qendër me shpatull të nxjerrë. Tashmë ajo kullot e qetë në livadh. Disa qen, që erdhën në kushte të rënduara shëndetësore, tashmë janë adoptuar nga familje të huaja. Opa është një ndër qentë më të vjetër këtu. Maria thotë se është 13 vjeçe dhe është braktisur nga familja, pasi kishte humbur gishtat. Qendra duket se shërben edhe për të orientuar vogëlushët drejt dashurisë ndaj kafshëve, si dhe përkujdesjen ndaj tyre gjithashtu.
Të vegjlit kanë lënë shenjat e tyre pas vizitave këtu dhe duket se këto mesazhe i japin më tepër kurajo Marias që të punojë me të njëjtën forcë si në fillimet e saj, ndonëse duket se ende ka mall për Zvicrën e saj. “Nuk e di nëse do të hapen qendra të tjera të ngjashme. Nuk mendoj se do të largohem nga Shqipëria. Qendra ime do të vijojë të ekzistojë. Mbase do të vijë një ditë që qendrën mund t’ia besoj ndonjë të huaji që mund ta drejtojë. Se besoj se do të iki, pasi pas 14 vitesh jam këtu, në shtëpinë time dhe nuk kthehem në Zvicër, por do të rri me kafshët. Është normale që më mungon familja dhe miqtë, por ata vijnë këtu dhe nëna ime, apo miqtë vijnë çdo vit dhe i shikoj. Pra, kur vijnë të gjithë këtu, nuk më mungon asgjë. Në fillim nuk e kuptonin përse vendosa të qëndroj këtu, por ligji në Zvicër është që mund të mbash maksimumi 5 kafshë. Në 2, 3muajt e parë kur hapa qendrën kisha mbledhur 70 kafshë në rrugë dhe nuk vendosja dot se kë të merrja dhe kë ta lija sërish në rrugë, kështu që vendosa të hap qendrën”.
Kur zjarri masiv përfshiu Amazonën në Brazil, miqtë e saj të huaj mbollën 60 pemë këtu, si ullinj, limonë, portokaj, etj, për të dhënë mesazhin e vazhdimësisë. Disa prej kafshëve janë të verbra e megjithatë e gjejnë vetë rrugën për tek dhomat e tyre në stallë. Një oazë i vogël është ndërtuar për rosat. Maria thotë se kur një kafshë ngordh, emri i saj shkruhet për t’u kujtuar përgjithmonë si një qenie që iku e lumtur dhe jo e braktisur. (A2 Televizion)