Një vend në Tokë ku jeta nuk mund të ekzistojë

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2019, 10:54 | Bota

Në planetin tonë, jeta ka arritur të lulëzojë edhe në kushtet më ekstreme, nga shkretëtirat e thata te tundrat e ngrira, apo pellgjet toksike e gropa termale në thellësitë e oqeaneve. Por ekziston një cep në Tokë ku jeta nuk ka arritur të ekzistojë.

Shkencëtarët kanë zbuluar një vend në Etiopi, ku sipas analizave më të fundit, të publikuara fundjavën e kaluar, nuk ka absolutisht asnjë shenjë jete. Dallol është një nga vendet më ekstreme në planet. Liqeni është tmerrësisht i nxehtë, me kripë dhe acid. Ai shtrihet përgjatë një krateri vullkanik, i mbushur me gazra toksikë dhe ujë të përvëluar. Edhe në dimër, temperatura atje arrin në 45°Celsius.

Disa prej zbulimeve u publikuan të premten në revistën “Nature Ecology & Evolution”. “Kemi arritur të vërtetojmë se nuk ka asnjë shenjë jete aty, as mikroorganizma”, tha Purificación López García, autore e studimit dhe biologë në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore.

Shkencërisht, mungesa e jetës shpjegohet nga studiuesit me faktin që pellgjet kanë barriera kimike, si kripërat me magnez, të cilët shpërbëjnë hidrogjenin. Kombinuar me ambientin e nxehtë, kripërat dhe acidet, jetës i jepet goditja “fatale”.

Studimi do të ndihmojë shkencëtarët të mësojnë më shumë edhe për mundësinë e jetës jashtë planetit tonë. “Në këto kushte, ose të ngjashme, nuk do të mund të kishte jetë edhe në planetë të tjerë”, tha López García. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos