Nuk ishte aksident, por tentativë vrasje, shpallet në kërkim 22-vjeçari

Nga A2 CNN
7 Maj 2023, 10:42 | Kronikë
Nuk ishte aksident, por tentativë vrasje, shpallet në kërkim

Policia e Fierit ka dhënë detaje në lidhje me një ngjarje të regjistruar paraprakisht si aksident me makinë, e ndodhur më 1 maj, por që në fakt bëhej fjalë për një tentativë vrasje, pas një sherri mes disa personash.

Në bazë të hetimeve të thelluara rezultoi se përplasja e disa makinave më 1 maj në Sheqishtë erdhi si pasojë e një konflikti për motive të paqarta.

22-vjeçari P.D. së bashku me babanë e tij A.D. u konfliktuan fizikisht me 3 shtetas dhe për këtë arsye i riu drejtoi qëllimisht makinën drejt tyre duke i plagosur.

Më pas, P.D. ka marrë automjetin e shtetasve të dëmtuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes.

Nga përplasja janë dëmtuar shtetasit E. Sh. dhe D. L., teksa 15-vjeçari që ndodhej me ta jashtë makinës ka shpëtuar pa u lënduar.

Pas zbardhjes së ngjarjes, policia shpalli në kërkim 22-vjeçarin, i cili akuzohet për tentativë vrasjeje.

Automjeti i shtetasit E. Sh. u gjet nga Policia, i braktisur në fshatin Visokë të Mallakastrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos