
Shangai është zgjuar i qetë këtë fundjavë, pa zhurmat e fëmijëve në parqe, pa makina në rrugë e madje, pa njerëz, në zonat e vendosura tashmë në karantinë prej javësh, edhe pse në 24 orët e fundit nuk regjistroi asnjë rast të ri me koronavirus, në një përpjekje të jashtëzakonshme, sipas autoriteteve, për të mbajtur nën kontroll virusin, që duket se ka paralizuar qytetin me 25 milionë banorë.
Rrugët e qytetit të dytë më të madh të Kinës, janë boshatisur në nisje të një fundjave të gjatë pushimi, me rastin e 1 majit, ditës së punës, me festimet që duket se kanë vendosur autoritetet shëndetësore në ankth, pasi do të duhet të ndjekin me përpikëri masat anti-covid. Ndaj, Shangai nuk feston.
Shqetësuese, situata mbetet edhe në kryeqytetin Pekin, atje ku prej kësaj të shtune, ka nisur raundi i tretë dhe i fundit i testimit masiv të banorëve. Kështu autoritetet do të mund të frenojnë përhapjen e virusit, para festimeve të 1 majit. Ata që do vizitojnë atraksionet turistike, janë testuar të parët, edhe pse kryeqytetasve iu është kërkuar të mos dalin nga vendi këtë fundjavë.
Shumë blloqe banimi janë mbyllur që të mos lejojnë banorët të largohen, kinematë, palestrat e libraritë dhe disa qendra tregtare janë mbyllur për këtë fundjavë, duke lënë si mundësi argëtimi, aktivitetet në natyrë. (A2 Televizion)