Nuk mbarojnë lajmet e hidhura për Londrën, ish-kolonia kërkon dëmshpërblimin gjigant

Nga A2 CNN
13 Korrik 2021, 19:30 | Bota

Nuk mjaftonte finalja e humbur e Europianit, një tjetër “dhimbje koke” po afron për mbretëreshën Elisabeth, dhe kësaj radhe vjen jashtë kontinentit.

Ish-kolonia e saj, Xhamajka, po fillon hapat e para për t’i kërkuar Londrës zyrtare një dëmshpërblim gjigant për të kaluarën e saj dhe skllavërimin e popullsisë.

Ishulli i Karaibeve ka qenë koloni britanike nga viti 1655, kur flota angleze pushtoi ishullin që mbahej nga spanjollët.  Xhamajkës iu rikthye pavarësia vetëm në vitin 1962, edhe pse mbeti pjesë e Commonwealth, me mbretëreshën britanike që formalisht është ende kreu i shtetit.

“Ne shpresojmë që drejtësia të na dëmshpërblejë për padrejtësitë që ata kanë kryer ndaj paraardhësve tanë", deklaroi ministrja xhamajkane e Kulturës dhe Sportit, Olivia Grange.

Xhamajka në shekullin e 18-të kishte më shumë se 600 mijë skllevër, që punonin forcërisht në plantacione te ndryshme në ishull, por edhe tregtoheshin në vende të tjera.

Edhe pse nuk është zyrtarizuar, kërkesa fillestare e palës xhamajkane do të jetë rreth 10.5 miliardë dollarë që përfaqëson të njëjtën shumë pak a shumë të dëmshpërblimit që Londra i ka dhënë dikur pronarëve të skllevërve, kur skllavëria u cilësua si praktikë e jashtëligjshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos