“Rajoni nuk mund të mbetet peng i një krize të pafundme Kosovë-Serbi.” Kështu shprehet kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter, pasi në Bruksel, emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bisedoi veçmas me kryenegociatorët, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç.
Shefi i qeverisë kërkon nga BE-ja që të veprojë me vendosshmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore mes dy vendeve.
Teksa shprehet se diskutimet janë zhvillim pozitiv, Rama shton se ajo që i nevojitet rajonit është përparim “përpara se të jetë tepër vonë.”
BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të siguruar një zbatim të shpejtë të Marrëveshjes Themelore. Rajoni ynë nuk mund të bëhet peng i një krize të pafund mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të lejojmë që as Kosova Veriore, ku kufiri mes krimit të organizuar dhe politikës vendase është i mjegulluar, të bëhet një Donbas i Vogël nga kryengritjet e nxitura nga Rusia dhe as Dialogu të bëhet një lojë fajësimi të Ballkanit të Vjetër nga mungesa e një vullneti real dhe të fortë të palëve të përfshira në të! Diskutimet janë të mira, por ajo që i nevojitet rajonit është një përparim para se të jetë tepër vonë.
Edi Rama, Twitter
Pas takimit me Lajçak, zëvendëskryeministri i Kosovës, Bislimi, sqaroi se fokusi kryesor i bisedës ka qenë në sekuencimin e hapave që duhet të bëhen për zbatimin e marrëveshje bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. (A2 Televizion)