Nuk realizohet plani, në buxhet mungojnë 116 mln euro të ardhura

Nga A2 CNN
19 Dhjetor 2019, 11:57 | Ekonomi
Nuk realizohet plani, në buxhet mungojnë 116 mln euro të ardhura

Në buxhetin e shtetit për 11 mujorin e këtij viti mungojnë 14.2 miliardë lekë ose rreth 116 milionë euro, gjysma e faturës që qeveria synon të ketë në dispozicion nga 1 janari për programin e rindërtimit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për këtë periudhë, u grumbulluan rreth 421.2 miliardë lekë të ardhura ose rreth 14.2 miliardë më pak se plani. Ndërsa kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, konstatohet një rritje modeste me vetëm 3.4%.

Zëri me ecurinë më të keqe në buxhet rezulton tatimi mbi vlerën e shtuar. Të ardhurat nga TVSH ranë me 4.4% në raport me faktin e një viti më parë, duke qenë ndërkohë dhe 11.2 miliardë lekë më pak sesa plani. TVSH është një tregues direkt i konsumit në ekonomi. Nga ana tjetër, ndikim ka pasur dhe përjashtimi nga TVSH i nënkontraktorëve të gazsjellësit TAP. Me mosrealizim janë edhe të ardhurat nga akciza, me 1.1 miliardë lekë më pak se plani.

Ecuria negative e këtyre zërave u kompensua nga tatimi mbi të ardhurat personale, që solli 5 miliardë lekë më shumë sesa plani, i ndikuar nga amnistia e dividendit, si dhe tatim fitimi solli 3.1 miliardë lekë më shumë se plani. Nisur nga mosrealizimi i të ardhurave, por edhe nevoja për të gjeneruar fonde, qeveria pritet që fund të dhjetorit të paraqesë aktin normativ të radhës për buxhetin e këtij viti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos