
Analisti Adri Nurellari, ndërkohë dhe këshilltar i kryeparlamentarit në ikje Kadri Veseli, komenton ngjarjet e fundit politike në Kosovë, në ditën ku duket se marrëveshja VV-LDK është vendosur, duke i lënë rrugë formimit të qeverisë Kurti.
Por sipas tij, vonesa e krijimit të qeverisë është i Vetëvendosjes dhe se varet nga çështje që nuk kanë të bëjnë ekskluzivisht me çështjet parimore.
“Ka qenë pasojë e paaftësisë të VV që ka krijuar portofolin e saj me destruktivitet dhe obstruksionizëm, e ka pasur të vështirë të hynte në një proces kompromisi. Nuk ishte kushtëzuar, por hyri në një marrëveshje me LDK, kur shumë mirë mund ta bënte këtë me AAK”, thotë Nurellari.
Sipas tij, koalicioni ka të bëj thjesht me “çështje karrigesh”, ku LDK nuk është parti e re, por ajo më e vjetër në Kosovë, 16 vjet në pushtet.
Edhe figura e Vjosa Osmanit për Nurellarin “ka qenë një maskë që ka përdorur LDK, siç ka ndodhur me Avdullah Hotin më parë, por kuptohet që vendimet në LDK i merr Isa Mustafa dhe rrethi i tij”.
Analisti mbetet skeptik për kapacitetin menaxhues të Qeverise së re, veçanërisht duke parë eksperiencat qeverisëse të Vetëvendosjes në bashkitë e Prishtinës dhe Prizrenit, si dhe kritikon faktin që në qeverinë Kurti nuk ka asnjë personalitet nga Shqipëria, “edhe nga ata që kanë qenë pjesë e kësaj force si Bojken Abazi dhe Arbër Zajmi”, një hap që do t’i kishte dhënë atij pikë në platformën e tij për bashkim kombëtar. (A2 Televizion)