Lulzim Basha ka zhvilluar një takim pasditen e së martës me një grup banorësh të njësisë numër 7 në Tiranë, ku është pritur sërish me protesta nga një grup personash.
“Ik, ik. O hajdut, o kriminel”, ishin disa nga thirrjet e këtyre personave ndaj Bashës.
Me një situatë të ngjashme, Basha u përball edhe paraditen e sotme teksa organizoi një takim me disa anëtare të Lëvizjes Demokratike të Gruas, në një lokal në kryeqytet. Ndërkohë që Basha bashkëbisedonte me të pranishmet, jashtë lokalit, pranë ambasadës italiane, një grup tjetër me gra dhe të rinj protestuan, duke mbajtur pankarta kundër Bashës në duar. Aty pranë mbërritën edhe forca të policisë, të cilët larguan protestueset nga rruga.
Ndaj Bashës u qëllua edhe me vezë, ndërsa nuk munguan edhe ofendimet. “Kam bërë burg për ty”, u dëgjua të bërtiste një i ri që tentoi t’i afrohej kreut të PD, kur zbriti nga makina. Ky i fundit, i përshëndeti protestuesit teksa u fut në lokal dhe i ftoi të hynin brenda për të ndjekur takimin. (A2 Televizion)