
Ilir Meta duket i vendosur për të dërguar gjashtë bashki në zgjedhje të parakohshme. Përgjigjja e KQZ-së ku e njoftoi për vetëm tre nga gjashtë vakancat e krijuara, e detyroi Presidentin t’i drejtohet me një letër personin që ka akuzuar më shumë në politike, Edi Ramës.
“Kryeministri publikisht ka mbajtur qëndrimin se shpallja e zgjedhjeve të pjesshme vendore është kompetencë e Presidentit, por pa e njoftuar këtë të fundit zyrtarisht dhe sipas ligjit. Në këto kushte, Presidenti i Republikës, kërkon nga Këshilli i Ministrave të informohet mbi Bashki në të cilat u ka përfunduar mandati në mënyrë të parakohshme”.
Ndryshe nga sa bëri me Ilirjan Clelibashin, të cilit i la afat tri ditë kohë, për kryeministrin nuk ka kufizime kohore.
“Kërkojmë që ky informacion të përcillet sa më shpejt, në mënyrë që Presidenti i Republikës, të procedojë më pas për zgjidhjen e kësaj situate”.
Por përse është krijuar ky ngërç ndërinstitucional për dekretimin e një date? “Nga shkresat që janë bërë publike, si nga Presidenti ashtu nga KQZ duket se ka disa problematika më shumë teknike njoftimesh që nuk i janë bërë të ditur për një sërë mandatesh bashkish. Ai është një informacion botërisht i njohur që janë gjashtë bashki pa kryetar”, u shpreh Braho.
Anëtari i KAS shpjegon për A2 CNN se cila është periudha kohore më e mundshme në të cilën qytetarët e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjës mund t’i drejtohen kutive të votimit.
“Kjo varet nga përgjigjja e Këshilli i Ministrave, datë e përafërt është fundi i shkurtit ose fillimi i marsit pra fundjava e fundit e shkurtit ose fundjava e parë e marsit”, shprehet Ledio Braho.
Saga e bashkive pa kryetar nisi në gushtin e vitit 2019 kur Valdrin Pjetri dha dorëheqjen pas problemeve të zbuluara me drejtësinë italiane, për të vijuar më pas me largimet e kryetarëve të bashkive të Durrësit, Vorës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjës, ndonëse për arsye të ndryshme nga ai i Shkodrës. (A2 Televizion)