
Propozimi me 8 pika i Albin Kurtit, 4 për Kosovën dhe po kaq për Serbinë është minimal dhe shumë larg pritshmërive të Brukselit. Kështu u shpreh analisti Afrim Krasniqi në studion e Debatit në A2 CNN, sipas të cilit Kosova ndodhet në krizë besimi me lidershipin perëndimor.
“Është një rrugëzgjidhje por jo zgjidhje finale është shumë larg pritshmërive. Pala serbe nuk do t’i pranojë kushtet. Në rastin e Kosovës janë të zbatueshme dhe të pritshme. Kosova e ka për detyrë të gjejë zgjidhje politike. Këto pika nuk janë pjesë e marrëveshjes, përputhen por nuk janë plotësisht në pritshmëritë e ndërkombëtarëve. Kosova ndodhet në krizë besimi me lidershipin perëndimor. Edhe pse e dimë që Serbia është kryesor që provokon ne jemi të interesuar ta shohim Prishtinën aleat të Perëndimit. Mendoj që oferta e Kosovës ngelet minimale dhe qeveria e Kosovës ndodhet shumë larg nga ajo që pret Brukseli”.
Për Krasniqin, Kurti është përpjekur të luajë rolin e një heroi në paqe dhe do të shfrytëzojë momentin për kredenciale politike jo afatgjatë.
“Plani afatgjatë do të ishte njohja e Kosovës. Çdo zgjidhje që nuk parashikon këtë prodhon krizë. Mënyra si e bën, e shoh në mënyrë kritike, nuk mund ta çosh marrëdhëniet në skaje kur nuk ka kthim pas. Kosova ka detyrime me Brukselin dhe e ka jetike investimin e Brukselit dhe Uashingtonit në Prishtinë dhe duhet të bëhet pjesë e uljes së tensioneve”.
Me Me keqardhje e shikon propozimin e Kurtit edhe njohësi i Çështjeve të Integrimit Ilir Aliaj. Sipas tij bëhet fjalë për çështjet e kombit shqiptar dhe jo të Albin Kurtit dhe për këtë duhet të lëvizë edhe diplomacia shqiptare, thotë ai.
“Keqardhje kur dëgjova 8 pikat e Kurtit. aty nuk flitet për një pikë që SHBA e BE kërkojnë fillimin punës për ngritjen e asociacionit. Por përmendet një fakt qesharak që është pika për lëvizjet e ushtrisë serbe që ndodhen në kufi. Në Samtin e Brukselit është Ukraina, shmangia e varësisë nga Kina dhe pastaj vjen Kosova. Dhe në këtë pikë këshilltarët e Kurtit duhet të jenë më plastikë e të lëvizshëm. Asnjë shqiptar nuk mendon që të kthejë prapa ngjarjet e ‘99. Kush mendon se do të vendosë në rrezik integrimin dhe prosperitetin e Kosovës, trupat amerikane kanë shkelur në territorin serb dhe kanë pasur stërvitje ushtarake të përbashkëta. Duhet të lëvizë edhe diplomacia shqiptare. Është çështje e kombit shqiptar dhe jo Albin Kurtit. Situata është shumë delikate dhe në këtë situatë duhen ndërmarrë hapa shumë të sigurt dhe këto merren kur jemi në bashkëpunim me partnerët strategjikë. Këtu bëhet fjalë për çështje më të mëdha se Kurti”.
Aliaj ngre alarmin e izolimit të Kosovës, që mund të ndodhë për shkak të sanksioneve të ndërkombëtarëve.
“Izolim i Kosovës nga partnerët tanë, por partneri ynë kryesor është Gjermania. Dhe mjafton vetëm fjala izolim dhe duhet të ketë reagim shumë të madh. Izolimi i Kosovës po vjen në mos sot në darkë nesër ato do të vendosen dhe këto masa i kthejnë mbrapsht të gjitha arritjet e Kosovës në procesin e integrimit. Institucionet dhe njerëzit që i drejtojnë ato çfarë po bëjnë? Po e izolojnë Kosovën dhe kjo është kambanë alarmi”.
Por për producentin e A2 CNN, Ervin Qafmolla, nuk ka ndonjë gjë të re kur vjen puna te marrëdhëniet e Kosovës me Brukselin, pasi sipas tij detyrat dhe sanksionet janë gjithmonë për Kosovën. Perëndimorët theksoi ai por e trajtojnë veriun si një enklavë ku Kosova nuk guxon të ketë veprim.
“Kërkesat, detyrimet dhe sanksionet janë gjithmonë për Kosovën. Faktori ndërkombëtar dënoi dhunën, por e drejtuan sërish gishtin te Kurti si përgjegjësi i kësaj dhune. Izolimi më i madh që vazhdon Kosova është që nuk ka liberalizim vizash. Shtetet anëtare të BE dhe DASH po e trajtojnë veriun si një enklavë ku Kosova nuk guxon të ketë veprim. Detyrat duket sikur i janë vënë Kosovës. Ndërkombëtarët duket sikur e kanë vendosur që aty do ketë autonomi. Reagime të llahtarisura nga Brukseli kur janë arrestuar kriminelë. Kosova shkakton panik në Bruksel”. (A2 Televizion)