
Ish-drejtuesi i Komisariatit nr.2 në Tiranë, Ritvan Pali, është larguar nga Policia e Shtetit.
Oficeri Ritvan Pali për një periudhë kohe drejtoi një nga komisariatet më të rëndësishme në vend, ku arriti rezultate të larta, madje komisariati nr.2 arriti të arrestonte me iniciativë një person të shumëkërkuar nga SPAK për bashkëpunim me grupet kriminale, ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morinën.
Pas këtij arrestimi të bujshëm, ku karriera e Palit duhet të merrte ngritje, çuditërisht ndodhi e kundërta dhe ai ka dhënë dorëheqjen si shef i komisariatit nr.2 në Tiranë. Nëpër korridoret e policisë së Shtetit flitej se ishte një dorëheqje e detyruar, raporton gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta.

Pas kësaj dorëheqje nga Tirana, Pali u emërua Shef i Rendit në Devoll, aty ku qëndroi për disa muaj dhe më pas së fundmi u transferua në Kukës si specialist për Rendin. Por jo vetëm kaq, Palit iu bë edhe ulje në gradë nga komisar në nënkomisar për motive ende të paqarta dhe asnjë motivacion, raporton gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta.
Pas këtyre veprimeve abritrare ndaj tij Ritvan Pali ka dhënë dorëheqjen nga Policia e Shtetit. A2CNN disponon edhe dokumentin e lirimit nga Policia e Shtetit të oficerit Ritvan Pali. Një rast i paprecedentë në Policinë e Shtetit, ku karriera e një oficeri shuhet për pak kohë edhe pse rezultatet në punë nuk kanë munguar. (A2 Televizion)
