
Nëse presidenti rus, Vladimir Putin, vendos të pushtojë Ukrainën, kjo mbetet për t'u parë. Por sot bëhet një tjetër përpjekje për diplomacinë në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Nuk i grumbullon 100 mijë ushtarë nëse nuk ke ndërmend t’i përdorësh. Zërat tanë janë të unifikuar t’i kërkojmë Rusisë të shpjegohet.” Këto janë fjalët e Linda Thomas Greenfield, ambasadores së SHBA-së në OKB.
Rusia insiston se nuk synon të sulmojë, por nuk ka shfaqur asnjë shenjë për ulje të tensioneve. Një ekspert, Andrey Kortunov, e konsideron një tregim force, atë që po bën Moska.
“Qëllimi është të tërheqë vëmendjen e Perëndimit ndaj shqetësimeve ruse në lidhje me sistemin e sigurisë në Europë dhe Putin e deklaroi fare troç, se "Perëndimi nuk dëshiron të na dëgjojë", kështu që ne duhet të bëjmë diçka dramatike për të tërhequr vëmendjen perëndimore”, thotë ai.
Rusia e sheh rritjen e mbështetjes për Ukrainën nga NATO në armatime, stërvitje dhe personel, si një kërcënim për sigurinë e saj. Kievi ka paralajmëruar se Moska po përpiqet të destabilizojë vendin përpara një pushtimi. Në të vërtetë, tensionet mes të dyja vendeve datojnë thuajse para një dekade, kur Rusia aneksoi Krimenë në 2014-n dhe separatistët rusë morën kontrollin e rajonit të Donbasit.
Historia është e komplikuar, por ambasadorja amerikane në OKB thotë se ka pritshmëri të mira për të ardhmen e këtij konflikti.
“E kemi bërë të qartë se jemi të përgatitur të adresojmë shqetësimet tona, shqetësimet e Ukrainës dhe ato të Rusisë në tryezën diplomatike, por kjo nuk mund të bëhet në fushëbetejë”, deklaroi ajo. (A2 Televizion)