OKB: Situatë katastrofike, fermerët e Ukrainës në frontin e luftës

Nga A2 CNN
30 Mars 2022, 16:45 | Bota
OKB: Situatë katastrofike, fermerët e Ukrainës në frontin e

Lufta ruse në Ukrainë mund të çojë drejt krizës më të rëndë globale të ushqimit që prej Luftës së Dytë Botërore. Paralajmërimi erdhi nga kreu i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, i cili tha për Këshillin e Sigurimit të OKB-së ditën e martë se lufta njëmujore e kishte kthyer Ukrainën nga shportë buke për botën, në radhë për sigurimin e bukës.

“Po flasim për një katastrofë mbi katastrofat, pasi Ukraina po kalon nga shporta e bukës në radhët e bukës. Ne nuk do të kishim imagjinuar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte. Nuk preket vetëm rajoni por do të kemi një impakt global, diçka që nuk e kemi parë prej Luftës së Dytë Botërore”, tha David Beasley. Ai tha gjithashtu se 50% e grurit të blerë për të ushqyer 138 milionë njerëz rreth botës vjen nga Ukraina, dhe paralajmëroi se organizata do të duhet të reduktojë racionet për vendet në luftë si Jemeni.

Programi Botëror i Ushqimit, ushqen 138 milionë njerëz në më shumë se 80 vende, nga Etiopia në Afganistan, Sudani Jugor në Jemen, Nigeria në Siri.  Por tani lufta e Putinit po rrit kostot e sigurimit të asistencës ushqimore dhe organizata e ushqimit dhe bujqësisë vlerëson se 13 milionë njerëz të tjerë mund të kenë vështirësi në sigurimin e ushqimit për shkak të luftës në Ukrainë.

Beasley shtoi më tej se Ukraina dhe Rusia prodhojnë së bashku 30% të furnizimeve botërore të grurit, 20% të misrit dhe 75-90% të vajit të lulediellit. Por ofensiva e Moskës ka detyruar fermerët t’i drejtohen fronteve të luftës, në vend që të merren me të mbjellat. Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron krizë të urisë, destabilizim të vendeve dhe emigracion masiv nëse konflikti vazhdon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos