
Komisioni i Venecias i kujtoi sot Gjykatës Kushtetuese se nuk ka kompetencë Të gjykojë për zgjedhjet lokale të 2019, ndërsa shprehet se Presidenti ka shkelur Kushtetutën me shtyrjen e datës së zgjedhjeve. A2 CNN ka siguruar draft opinionin e Komisionit të Venecias që miratohet nesër.
Në Opinionin e tij dërguar institucioneve të përfshira në gjykatën Kushtetuese, Komisioni i Venecias i ka hapur rrugë jo vetëm vendimit që duhet të marrë kjo gjykatë ndaj kërkesës së shoqatës së bashkive për legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 2019, por edhe interpretimit të kërkesës së socialistëve për shkarkimin e Presidentit Meta. Për këtë çështje u diskutua këtë të enjte në emisionin Debat më Alba Alishanin në A2 CNN.
Për ish-kreun e KQZ, Kristaq Kume, opinioni i Venecias nuk e ka zgjidhur ende problemin.
“Venecia ndodhet në të njëjtat nivele të të shprehurit të opinionit të saj. Venecia i ka qëndruar strikt përgjigjes së 3 pyetjeve. Ky komision ka dhënë argumentin e tij me atë që kërkohet dhe atë që mundëson legjislacioni ynë. Ndaj, për mua nuk është se ajo që është dhënë në opinionin e Komisionit të Venecias përbën ose mund të konsiderohet se problemi u zgjidh. Jo. Në fund, është Gjykata Kushtetuese që jep vendimin përfundimtar për këtë çështje”, u shpreh Kume. (A2 Televizion)