
Opozita sllovake e kryesuar nga Partia e Njerëzve të Zakonshëm (OLANO) arriti një fitore të jashtëzakonshme në zgjedhje parlamentare të së shtunës, duke rrëzuar partinë e qendrës së majtë Smer, e cila qëndronte në krye të skenës politike prej më shumë se një dekade.
Pas numërimit të 96% të votave rezulton se partia OLANO, një lëvizje politike amorfe, pro BE dhe pro NATO, si dhe e fokusuar në luftimin e korrupsionit, ka marrë 24.9% të preferencave ndërsa Smer vetëm 18.5%.
Vendet e tjera që janë fituar nga partitë liberale dhe konservatore i japin OLANO një mundësi mjaft të mirë për të drejtuar negociatat për krijimin e qeverisë së re të qendrës së djathtë.
Në një deklaratë të shkurtër, pas publikimit të rezultateve paraprake të zgjedhjeve, kreu i OLANO, Matoviç ripërsëriti edhe njëherë qëndrimin se do ta pastrojnë së bashku me qytetarët politikën nga krimi.
“Morëm një mandat të qartë nga populli i cili kërkon pastrimin e vendit nga korrupsioni. Le ta bëjmë Sllovakinë një vend ku ligji është i barabartë për të gjithë, pavarësisht nëse je i pasur apo i varfër”, u shpreh Mativiç. (A2 Televizion)