
Partia e Lirisë publikoi disa dokumente duke ngrit akuzën se paratë që qeveria paguan për incenerimin e mbetjeve të Tiranës shkojnë jashtë vendit.
Nga foltorja e partisë, Ilir Meta u shpreh se abuzimi me fondet e incenreatorëve bëhen me aprovimin e kryeministrit Rama duke nënvizuar se drejtësinë për këtë do ta vendosë vetë populli e jo SPAK.
“Ndërkohë që jemi të sigurt që gjykatësi më i mirë do të jetë populli i Tiranës dh populli i Shqipërisë. hetimet kanë ecur me hapin e breshkës ndërkohë që vjedhja vazhdon me vrapin e kangurit. Pa frymëzimin e tij, pa mbështetjen e tij, pa angazhimin e tij kjo aferë nuk mund të fillonte e jo më në këto përmasa kaq katastrofike”, tha Meta.
Në krah të Metës ishte koordinatorja e Partisë së Lirisë kundër korrupsionit, Briseida Shehaj e cila publikoi disa dokumente se si pronat publike që kanë marrë inceneratorët, janë lënë garanci në banka për të marrë disa kredi të njëpasnjëshme.
“Kompania e Tiranës ka marrë gjithsej 8 kredi, e fundit prej 8 milionë eurosh është firmosur në nëntor 2021. Këto 8 kredi kanë një shumë të mbetur rreth 16 milionë dollarë”, tha Shehaj.
Reagimi opozitar për inceneratorët ishte në sinkron ku krahas Partisë së Lirisë, edhe Partia Demokratike vijoi denoncimet e përditshme. Në deklaratën e tij, Jamarbër Malltezi theksoi se tek inceneratori i Tiranës kanë vajtur edhe fondet për mbështetjen e fermerëve.
“Sekserja e Edi Ramës, Gugallja në bashkëpunim me një punonjës të inceneratorit të Tiranës, nëpërmjet agjencisë ABZHR të qeverisë, ka marrë 310 mijë euro nga grantet e BE”, u shpreh Malltezi. Prej javësh, të dyja forcat opozitare kanë vijuar akuzat ndaj mazhorancës për çështjen e inceneratorëve duke i bërë thirrje të vazhdueshme strukturës së posaçme antikorrupsion të vërë nën hetim zyrtarë te lartë shtetëror. (A2 Televizion)