
Sa vijnë dhe ngushtohen afatet ndërsa fushata zgjedhore nis me qershorin, por Lulzim Basha dhe Edi Rama nuk kane treguar asnjë shenjë tërheqjeje lidhur me datën e dekretuar për zgjedhjet vendore.
Opozita mban të shtunën një tjetër protestë kombëtare, e treta brenda muajt maj. Por ndonëse e vendosur për të qëndruar jashtë sistemit, me kushtin kryesor të largimit të Kryeministri Edi Rama dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira përmes një qeverie transitore, forca kryesore në opozitë ka bërë lëvizjen e saj të parë për të qenë në sistem. Bëhet fjalë për vendimin e saj për të pasur anëtare në komisionet e zonave të administrimit zgjedhor, për të dokumentuar, siç thotë ajo, manipulimin e zgjedhjeve.
E ndërkohë, në anën tjetër është Kryeministri Rama që këmbëngul që data kushtetuese e zgjedhjeve nuk do të levizë. Socialistët janë shprehur të hapur për përfshirjen e Partisë Demokratike në zgjedhje, por ende nuk ka një sinjal të qartë prej tyre nëse do të pranojnë demokratët dhe LSI në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor. (A2 Televizion)