Katër të rinjtë të cilët njoftuan sot krijimin e një force të re politike me emrin “Të bashkuar për Shqipërinë”, deklaruan në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN se do të shpalosin programin në ditët në vijim përmes një turi me shqiptarët.
David Hoxha, Anjeza Marku, Lulëzime Faria dhe Aleksandër Moja deklaruan se janë njohur në shesh dhe iniciativa e tyre ka lindur nga angazhimi i tyre në protestë dhe synon të shndërrohet në një alternativë të re politike, të ndërtuar së bashku me qytetarët brenda dhe jashtë vendit.
“Pas 180 ditëve ditëve kemi arritur në rezultatin që kjo protestë duhet të marrë dhe një linjë politike dhe kemi zgjedhur që të shkojmë drejtpërdrejt te njerëzit me një parti politike dhe jo me një lëvizje apo diçka tjetër që më pas ta kalonim në parti politike. Ne mendojmë që shqiptarët në këtë moment, jo vetëm protestuesit në shesh, por edhe protestues në të gjithë botën, pra kudo që janë shqiptarët, qoftë edhe nëpër rrethe, kemi menduar që të jemi në mënyrë të drejtpërdrejtë me ta duke shpalosur idetë tona, duke shpalosur një program në ditët në vazhdim të cilin do ta ndërtojmë së bashku, së bashku me qytetarë të vendit, së bashku me protestues dhe individë të tjerë, qytetarë të tjerë të cilët gjenden nëpër rrethe. Në ditën në vazhdim ne do jemi nëpër fshatra, do jemi nëpër qytete të ndryshme për të dëgjuar të gjithë qytetarët e vendi me çfarë do mundemi deri në ditën e zgjedhjeve”, tha Lulzime Faria në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Të rinjtë thanë se nuk përfaqësojnë interesa të forcave tradicionale politike dhe se nuk kanë mbështetje nga pas, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve, studentëve dhe diasporës t'i bashkohen nismës.
“Kjo parti politike që do të krijohet ka lindur vetëm nga nevoja. Ka lindur totalisht nga sheshi. jemi njohur me njëri-tjetrin aty. Ne përfaqësojmë vetëm ata të cilët do mendojnë njësoj si ne dhe do bien dakord me atë çfarë edhe ne do përfaqësojmë. Na besoni. Jemi të rinj, nuk kemi askënd nga mbrapa siç do supozohet ose mund të mendohet, jemi vetëm me njëri-tjetrin. Kemi ekspertë që duan të na ndihmojnë ta bëjmë këtë gjë më të mirë. Por edhe një thirrje shkon jo vetëm për personat e sheshit, të cilët unë i admiroj pafundësisht për gjithë këtë qëndresë të fortë që kemi bërë, por edhe për çdo qytetar në Shqipëri, jashtë Shqipërie, të bëhemi gjithë bashkë, ta bëjmë këtë gjë më mirë”, tha Anjeza Marku.
Si vijë të kuqe për anëtarësimin në këtë forcë politike, ata përmendën personat që kanë mbajtur pozicione kyçe në partitë që, sipas tyre, kanë ndërtuar sistemin politik të 36 viteve të fundit, si dhe individët e përfshirë në korrupsion apo krim të organizuar.
“Vija e kuqe për partinë tonë janë ata persona që kanë patur pozicione kyçe në partitë që kanë krijuar sistemin 36 vjeçar. Edhe persona që janë marrë me korrupsionin edhe me krimin e organizuar. Kjo është vija e kuqe që neve nuk do e kalojmë, edhe njerëzit që kanë këtë profil, neve nuk i ftojmë në këtë krijim partie. Edhe sikur të bëjnë një karantim politik, neve mendojmë që Shqipërisë i ka ardhur koha për fytyra të reja. Nuk mundet të shikojmë të njëjta fytyra që kanë patur një efekt shumë drastik në shoqërinë tonë 36 vjeçare”.
Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme, studentët nuk përjashtuan mundësinë e paraqitjes me kandidatë, por thanë se vendimi do të merret në konsultim me qytetarët.
(A2 Televizion)