Opozita “sjell përmbytjen” në Kuvend, Rama minimizon situatën

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2022, 16:09 | Politikë
Opozita “sjell përmbytjen” në Kuvend, Rama minimizon

Interpelancën me kryeministrin Rama për përmbytjet në vend, demokrati Ferdinand Xhaferaj zgjodhi ta niste me fjalët e kreu të qeverisë thënë para 10 viteve, duke i cilësuar ato si më aktuale se kurrë.

“Përmbledhjen më të mirë dhe akuzat më të mira i keni ngritur vetë në këto video”, tha Xhaferraj, para se të tregonte një video të vjetër ku Rama akuzonte qeverinë se kishte përmbytur Shkodrën.

Qëndrimin e para 10 viteve kur vendi qeverisej nga PD-ja, Rama e ripërsëriti, këtë herë me pretendimin se situata sot është krejt e ndryshme falë punës së ekzekutivit të tij. “68 316 banorë të prekur në kohën që është nxjerrë ai sinkroni im, ndërkohë që prapë shifrat e Bashkisë Shkodër, vetëm 130 qytetarë të evakuuar”, tha Rama. “Natyrisht nëse unë e marr kamerën e iPhone-it tim dhe e fus në një vrimë të vogël me ujë mund të simuloj një përmbytje globale”.

“Dëshiroj të përsëris kërkesën tashmë të depozituar zyrtarisht, shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për Shkodrën, Lezhën dhe Durrësin dhe marrjen e masave”, tha Xhaferraj. Kërkesën e Xhaferajt, Rama e cilësoi si të tepërt. “Për çfarë ta shpallim gjendjen e emergjencës, për 30 shtëpi që kanë pasur ndonjë pëllëmbë ujë? Sot se kanë më”, tha Rama.

Sipas Ramës, situata aktuale është nën kontroll, ndërsa uji ka filluar të tërhiqet nga të gjitha pikat e konsideruara si problematike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos