
Një delegacion i opozitës, me përfaqësues Albana Vokshin, Genc Pollon dhe Edmond Haxhinaston u takuan sot në Tiranë me delegacionin e Venecias për çështjen e “paketës anti-shpifje" të propozuar nga ekzekutivi.
Në dalje të takimit, ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, theksoi se “të dy ligjet, qoftë ligji për AMA, qoftë ligji për AKEP-in, janë të hartuara në mënyrë jo transparente, me qëllimin e vetëm për të kontrolluar dhe atë pjesë të medias, pra median online, kritike të qeverisë dhe të kryeministrit, të asaj media që deri më sot ka bërë transparencë të aferave korruptive dhe të bërjes palë të një pjese të qeverisë me krimin dhe me krimin e organizuar. Ato duhet të anulohen sepse janë anti-kushtetuese, anti-demokratike dhe anti-europiane”.
Vokshi nënvizoi besimin e opozitës për objektivitetin e Komisionit të Venecias, duke i bërë apel Qeverisë “të zbatojë opinionin e Komisionit mbi ligjin anti-shpifje, në momentin që do të bëhet publik”.
(A2 Televizion)