Pa orë policore për Vit të Ri, Manastirliu: Festat me familjen e vogël, të jeni të vaksinuar ose të testuar

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2021, 13:40 | Aktualitet
Pa orë policore për Vit të Ri, Manastirliu: Festat me familjen e

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se vendimi i heqjes së orës policore që lejon qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve përtej orës 23:00 për natën e ndërrimit të viteve, është marrë nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar te situata epidemiologjike në vend, rastet e shtrimeve në spitale dhe situatës në tërësi të pandemisë në Shqipëri dhe rajon.

Megjithatë, ajo kërkoi nga njerëzit përgjegjësi individuale për t’u mbrojtur nga koronavirusi. “Sigurisht është shqetësues varianti Omicron, por më 31 dhjetor, kërkohet kujdes i shtuar. Do të lejohen qarkullimet përtej orës policore, por komiteti ka rekomanduar që këto festa të jenë me familjen e vogël, sa më pak persona dhe gjithashtu të jenë të vaksinuar dhe të testuar, për t’u mbrojtur. Zbatimi i masave është sfidë për të gjithë, është përgjegjësi e institucioneve, por po aq edhe individuale”, tha Manastirliu.

E pyetur nëse Shqipëria do të marrë vaksinën turke, të prezantuar së fundmi, Manastirliu tha komiteti i ekspertëve të vaksinimit do ta vlerësojë këtë mundësi, nëse vaksina turke do të bëhet pjesë e Covax.

“Aktualisht, kemi aplikuar mbi 2,3 milionë doza vaksina, kemi marrë mbi 2,6 milionë doza vaksine. Në fund të dhjetorit, vijnë 375 mijë vaksina të tjera dhe jemi në pritje të finalizimit të kontratës së re me Pfizer për vitin 2022, ku do të marrim 1,5 milionë doza vaksine. Në instrumentin Covax ne jemi të përfshirë si vend me vetëfinancim, jemi në pritje të 500 mijë dozave, presim të informohemi cilat janë vaksinat e miratuara. Deri më sot, nuk kemi thirrje për vaksinën turke, përmes këtij instrumenti. Nëse do ta kemi, do ta vlerësojmë përmes komitetit të ekspertëve”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos