
Ish-zëvendësministri kosovar, Begjet Pacolli, nëpërmjet një letre, i ka kërkuar kryeministrit shqiptar, Edi Rama, të udhëheqë një përpjekje mbarëkombëtare për të përgënjeshtruar teoritë e përfaqësuara nga raporti i Dick Marty-t, mbi krimet që, sipas tij, janë kryer nga UÇK-ja, gjatë luftës së Kosovës.
“Dick Marty ishte rezultat i një dezinformimi dhe fushate politike të sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia për të sulmuar pavarësinë e Kosovës dhe UÇK-në. Kjo kërkon një sfidim nga brenda Këshillit të Evropës (aty ku Shqipëria është anëtare) nga ku ka dalë raporti i Dick Marty-t. Na duhen veprime diplomatike të drejtuara nga Shqipëria, që do të kundërshtonin raportin e trilluar të Dick Marty në Këshillin e Evropës, por gjithashtu do të adresonin kërkesat për hetimin e krimeve të luftës që Serbia ka kryer në Kosovë”, thuhet në letrën e Pacollit.
Pacolli shton se, “Ne kemi krijuar institucionet që duhet të merren me drejtësinë, por drejtësia në Hagë po tradhton popullin e Kosovës, po përpiqet të japë amnistinë e krimeve serbe të luftës në Kosovë dhe po ndryshon pozicionin e viktimës me agresor”. (A2 Televizion)