
Viti 2022 do të shoqërohet me ndryshime në sistemin e taksave dhe tatimeve, por edhe tek pagat e qytetarëve. Duke filluar nga 1 janari, paga minimale është rritur nga 30 mijë lekë në 32 mijë lekë, një ndër premtimet e socialistëve në mandatin e tretë.
Ndërkohë që nga 1 korriku do të ketë ndryshime në taksën progresive. Paga e pataksueshme do të rritet në 40 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është sot, ndërkohë që pagat deri në 50 mijë lekë do të taksohen me vetëm 6.5%.
Ndryshim ka edhe për taksimin e pagave të larta, ku norma 23% do të aplikohet për pagat në 200 mijë lekë nga 150 mijë lekë që ka qenë deri më tani.
Po nga 1 korriku do të rriten pagat për mjekët, infermierët dhe mësuesit me 6 për qind. Pagat për punonjësit e policisë ndërkohë që shërbejnë larg vendbanimit shkon ne 150 për qind. 30% është niveli i rritjes së pagës për forcat e armatosura. Ndërkohë që pensionet do të indeksohen.
Qeveria ka vendosur që të shtyjë deri më 30 prill afatin për rivlerësimin e pasurive të patundshme me 3%; si dhe mosaplikimin e gjobave për fiskalizimin deri në fund të qershorit. (A2 Televizion)