
Milan-Inter është më tepër se një ndeshje futbolli. Është një pasion që zgjat prej 110 vjetësh. Një rivalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm sportiv dhe një prej dueleve më të bukur në planet. Ai që do të luhet mbrëmjen e sotme, në orën 20:45 në “San Siro” është derbi i Madoninës numër 224.
Në 170 ndeshje të Serisë A italiane, Interi ka fituar 64 herë, 13 më tepër se Milani. Ecuria e mirë ndaj rivalëve kuqezi është theksuar në vitet e fundit, me Milanin që nuk fiton prej 31 janarit 2016. Thuajse katër vjet, me Djallin që kërkon të thyejë mallkimin “kinez”, prej momentit kur Suning ka marrë pronësinë e Interit. Me presidentin Zhang, zikaltërit kanë regjistruar 3 fitore dhe 3 barazime dhe synojnë të ruajnë ecurinë pozitive, për të qëndruar në krye të kampionatit. (A2 Televizion)