
Lulzim Basha e quajti “shkelje të vijës së kuqe” miratimin e paketës anti-shpifje që pritet të kalojë në Kuvend këtë javë. “Akt i paprecedent jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë hapësirës europiane. Kjo është vazhdimi i një ofensive të pandërprerë kundër medias dhe lirisë së shprehjes. Pa lirinë e medias nuk ka liri politike. Këtu jemi si partnerë, në një interes, atë të informimit të qytetarëve. Mosinformimi dhe keqinformimi i tyre është një nga objektivat strategjikë të këtij Kryeministri dhe kësaj qeverie, të ngushtojë çdo ditë hapësirën e informimit të qytetarëve. Kjo për ne është e papranueshme, është një vijë e kuqe, siç di të ishte në çdo vend sado pak demokratik”, tha Basha gjatë një takimi me një panel gazetarësh.
Kreu i PD tha se nuk do ta njohë këtë ligj dhe do ta shfuqizojë atë menjëherë sapo partia e tij të ketë drejtimin e vendit. “Të vetëdijshëm për problemet dhe mangësitë tona, sot si opozitë dhe dje si qeverisje, synimi ynë është t’i japim vendit jo vetëm një kuadër ligjor, por edhe të gjitha instrumentet për të mbyllur një herë e përgjithmonë derën e hambarit të shëmtuar të tranzicionit sa i përket lirisë së medias dhe për ta vendosur në hapësirën europiane. Pa diskutim nëse çmendura çohet deri në fund të premten, opozita jo vetëm nuk do ta njohë, por do të bëjë çdo gjë që sapo të ketë mundësinë e qeverisjes ta zhbëjë këtë legjislacion”, tha Basha.
Ai tha gjithashtu se synimi i opozitës është që të krijojë një kuadër ligjor i cili, siç tha Basha, “do të varrosë mundësinë e çdo qeverie nesër për ta trajtuar pushtetin e katërt, si një shtojcë të pushtetit, ose një bezdi që i duhet mbyllur goja”. (A2 Televizion)