
Kuvendi i Shqipërisë hoqi nga rendi i ditës një nga dekretet e presidentit Ilir Meta në lidhje me ligjin e mediave, i cili hasi shumë kritika nga opozita, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë. Një nga arsyet e këtij vendimi ishte dhe çuarja e këtij ligji në Komisionin e Venecias nga Asambleja e Parlamentare e Këshillit të Europës e cila kërkon mendimin e ekspertëve.
Pikërisht për shkak të këtij opinioni që pritet të dalë në 20-21 mars, u hoq nga rendi i ditës së punimeve të Kuvendit një nga dekretet e presidentit për ligjin antishpifje, i cili do të votohet në mars, qoftë duke u rrëzuar apo duke e ndryshuar ligjin.
A2 iu drejtua me një pyetje zyrtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE, Bas Klein rreth arsyeve që e detyruan këtë institucion të dërgonte “paketën antishpifje” në Venecia. Në përgjigje, Klein shkruan se ka shumë shqetësime rreth këtij ligji dhe shpjegon se nuk është bërë ndonjë pyetje specifike, por kërkohet një opinion i përgjithshëm rreth tij.
“Ne kërkuam një opinion nga Komisioni i Venecias pasi ka shumë pyetje në lidhje me këtë ligj dhe shqetësime se disa nga parashikimet e tij mund të mos jenë në linjë me standardet europiane përsa I përket lirisë së medias dhe të shprehjes. Nuk kemi bërë ndonjë pyetje specifike, por kërkuam një opionion të përgjithshëm rreth ligjit”, shkruhet në përgjigjen e zyrtarit të KiE, Bas Klein. (A2 Televizion)