
E ardhmja është në duart e tyre. I sheh teksa lexojnë, dëgjojnë ndonjë përrallë, teksa hyjnë me gëzim në panair dhe se sa me gëzim i prekin librat plot ilustrime. Misioni i përkthimit të veprave është në duart e pak profesionistëve, pasi puna me librin për fëmijë është e vështirë, do kujdes dhe përgjegjësi, sepse edukimi duhet të bëhet bashkë me argëtimin.
Edhe fituesja e çmimit si shkrimtarja më e mirë për fëmijë, Natasha Shuteriqi Poroçani, e sheh këtë mision sa të bukur, aq edhe me përgjegjësi për të ardhmen e librit.
Një kolanë e bukur dhe edukuese që ka marrë jetë disa vite më parë është “Mua më quajnë”, ku të vegjëlve u prezantohen bukur dhe me ilustrime disa nga figurat e shquara shqiptare. Por, sërish fëmijët vijojnë të kërkojnë Harry Potter.
Vitin e shkuar, në panair mbahej radhë për serinë e re dhe edicionin special, e këtë vit sërish kureshtja nuk është zbehur. Në stendën “Dituria” nuk është e vështirë ta kuptosh këtë. Libri fantastiko-shkencor, me histori magjike, është po aq i kërkuar. Dhe misioni i përkthimit të shumë prej këtyre veprave në stendën e “Diturisë”, i është besuar gjuhës artistike të Afërdita Shuteriqit.
Ky edicion i Panairit të Librit ka sjellë në vëmendje rëndësinë e përkushtimit te libri për fëmijë, jo vetëm me të vegjlit, por edhe në tryezat e diskutimit e intervistave, siç ishte edhe një prej tyrë në “Sofanë e librit”. (A2 Televizion)