
Policia në Holandë u qëllua me fishekzjarrë dhe u përball me "dhunë të jashtëzakonshme" në natën e Vitit të Ri.
Një kishë e shekullit XIX në Amsterdam u përfshi nga zjarri në orët e para të 1 janarit, megjithëse shkaku i flakëve nuk dihet ende.
Ndërkohë, një djalë 17-vjeçar dhe një burrë 38-vjeçar vdiqën në incidente me fishekzjarrë. Edhe në Gjermani ndodhi një tragjedi e ngjashme. Në Bielefeld policia lokale tha se dy 18-vjeçarë vdiqën pasi kishin ndezur fishekzjarrë në shtëpi, shkruan A2.
Kryetarja e Sindikatës së Policisë Holandeze, Nine Kooiman, tha se ishte qëlluar me fishekzjarrë dhe eksplozivë të tjerë gjatë turnit të saj në Amsterdam. Sasia e dhunës ishte "e paparë", tha ajo.
Raportet për sulme kundër policisë dhe zjarrfikësve ishin të përhapura në të gjithë Holandën për Vit të Ri.
Bomba molotov u hodhën mbi policinë në qytetin jugor të Bredës. Në Roterdam, spitali i qytetit tha se kishte trajtuar 14 pacientë, përfshirë 10 të mitur, për lëndime në sy. Dy prej tyre iu nënshtruan ndërhyrjes kirurgjikale.
Në Holandë, fishekzjarrët do të ndalohen në vitin 2026. Sipas Shoqatës Holandeze të Piroteknikës, një shifër rekord prej 129 milionë eurosh ishte shpenzuar për to këtë vit. (A2 Televizion)