Tronditet ish-lojtari i Arsenalit dhe Barcelonës, Qeveria e përjashton nga Kombëtarja

Nga A2 CNN
1 Janar 2026, 19:11 | Futboll

Tronditet ish-lojtari i Arsenalit dhe Barcelonës, Qeveria e përjashton

Eliminimi i Gabonit nga Kupa e Afrikës pas një përmbysjeje spektakolare të Bregut të Fildishtë (2-3) ka shkaktuar një “tërmet” të vërtetë.

Sipas mediave lokale, qeveria ka marrë vendimin për të larguar pas humbjes stafin teknik dhe dy lojtarët më të njohur të përfaqësueses, Pierre-Emerick Aubameyang, lojtari më i mirë gabonez i të gjitha kohërave, dhe Bruno Ecuele Manga.

"Qeveria ka vendosur shpërbërjen e stafit teknik dhe pezullimin nga ekipi kombëtar deri në një njoftim të mëvonshëm për lojtarët Bruno Ecuele Manga dhe Pierre-Emerick Aubameyang", thuhej në një njoftim.

Para këtij vendimi, qeveria kishte diskutuar situatën e ekipit kombëtar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

"Një pjesë e identitetit kombëtar po dobësohet," tha Presidenti i vendit, Brice Clotaire Oligui Nguema.

"Ekipi kombëtar pasqyron dy probleme të mëdha që reflektojnë, në të vërtetë, mangësi të strukturës: mungesën e metodologjisë në punë dhe shpërdorimin e fondeve", shtoi Kreu i Shtetit të Gabonit.

Përveç këtij eliminimi nga Kupa e Afrikës, Gaboni ka përjetuar një dështim tjetër, pasi nuk arriti të kualifikohet për Kupën e Botës pas eliminimit në fazën e play-off-eve afrikane. Sfida tjetër për gabonezët është Kupa e Afrikës 2027, ndaj ata kanë vendosur të fillojnë një rindërtim të plotë të ekipit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos