
Pandemia koronavirus është rigjallëruar sërish. Në të gjithë botën regjistrohen rreth 15 milionë të infektuar dhe më shumë se 616 mijë jetë të humbura. Vendet e Amerikës Latine konfirmohen gjithnjë e më shumë epiqendër përhapjeje me Organizatën Botërore të Shëndetësisë që ngre alarmin se nuk ka shenja të ngadalësimit të transmetimit të koronavirusit në këtë kontinent.
Më shumë se 300 milionë njerëz të Amerikës Latine rrezikojnë të pësojnë komplikacione serioze nga Covid-19 për shkak të sëmundjeve shoqëruese, paralajmëron OBSH. Brazili mbetet shteti më i prekur i këtij kontinenti me mbi 2,1 milionë të infektuar dhe më shumë se 81 mijë jetë të humbura nga koronavirusi i ri.
Përkundër shifrave të larta, autoritetet vijojnë me rihapjen e ekonomisë. Meksika arriti një rekord tepër të zymtë, me bilancin e viktimave që shkoi mbi 40 mijë. Emergjenca shëndetësore është përkeqësuar edhe në vende si Kili, Kolumbia dhe Peruja.
Situatë e rëndë edhe në Australi, vend i cili përjetoi ditën më të keqe që prej shpërthimit të pandemisë. Shteti i Viktorias regjistroi 484 raste të reja ditore, shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë, ku pjesa më e madhe ishin në Melburn. Përkeqësimi i emergjencës vijon edhe pse pjesa më e madhe e vendit është rikthyer në izolim.
Ndërkohë, shqetësuese paraqitet gjendja edhe në Hong Kong, Indi, Japoni si dhe Spanjë, shtete që kanë raportuar rritje të konsiderueshme të rasteve të reja në ditët e fundit. (A2 Televizion)