Papa Françesku ka mbërritur në Emiratet e Bashkuara Arabe për të realizuar kështu një vizitë historike, pasi është i pari që viziton gadishullin arabik.
Bergoglio zbriti në Abu Dhabi ku u prit nga Princi i Kurorës Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan. Ai do të marrë pjesë aty në një konferencë ndërfetare ndërsa të martën do të mbajë edhe një meshë në të cilën pritet të marrin pjesë 120 000 vetë.
Para nisjes nga Vatikani, Papa shprehu shqetësimin për luftën që vazhdon në Jemen, në të cilën janë përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe. “Popullsia në Jemen është e drobitur nga konflikti i zjgatur prej të cilit po vuajnë shumë fëmijë, ata janë të uritur por nuk kanë akses te depot e ushqimit”, tha Papa.
Nuk dihet ende nëse Ati i Shenjtë do të flasë në publik për këtë çështje ndërsa ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat janë të përfshira në konflikt si pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe jetojnë rreth 1 milionë katolikë, pjesa më e madhe e tyre nga Filipinet apo India. (A2 Televizion)