Shkojnë në SHBA si studentë, arrestohen si spiunë

Nga A2 CNN
2 Shkurt 2019, 12:47 | Bota
Shkojnë në SHBA si studentë, arrestohen si spiunë

Në gusht të vitit 2015, një student i inxhinierisë elektrike në Çikago dërgoi një email te një shtetas kinez me titull “Pyetjet e provimit të semestrit”.

Më shumë se dy vjet më vonë, ky email do të përfundonte në hetimet e FBI në Ohajo, në të cilin përfshihej një zyrtar i shërbimit sekret kinez që po përpiqej të merrte informacione nga një kontraktor i Departamentit të Mbrojtjes.

Personi që kishte dërguar atë email ishte Ji Chaoqun, një student kinez që më vonë do të regjistrohej edhe si rezervist në Ushtrinë Amerikane. Sipas hetuesve, emaili i tij nuk kishte asnjë lidhje me provimet. Por, i udhëzuar nga zyrtarë të lartë të shërbimeve të fshehta kineze, Ji kishte vendosur aty raportime mbi persona që jetonin në SHBA të cilët Pekini mund t’i shënjestronte për t’i rekrutuar si spiunë.

Të tetë personat ishin me origjinë nga Tajvani dhe Kina, të natyralizuar amerikanë, dhe kishin punuar në sektorin shkencor dhe teknologji. Shtatë prej tyre kishin punuar edhe në kompani që kishin fituar kontrata nga Departamenti i Mbrojtjes. Ji u arrestua shtatorin e kaluar si një “agjent i paligjshëm” që kishte dhënë informacione te Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit, agjencisë kryesore kineze të spiunazhit. Por hetimi nxori në pah rrjetin e spiunazhit që Kina po përpiqet të ndërtojë, në atë që konsiderohet si një luftë e heshtur kundër Shteteve të Bashkuara për ndikimin e informacionit global.

Si mijëra kinezë të tjerë që hyjnë në Shtetet e Bashkuara çdo vit, Ji kishte arritur të merrte një vizë F1, që u jepet studentëve të huaj të cilët marrin pjesë në programe akademike. Por pas ngjarjeve të fundit, Departamenti i Shtetit po merr në konsideratë nisjen e një procesi vetting-u për të gjithë ata që aplikojnë për një vizë të tillë, edhe pse detajet e këtij plani nuk janë bërë ende publike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos