Paradë ushtarake me raketa balistike, Kim Jong-un: Vendi ynë, i çliruar nga Covid-19

Nga A2 CNN
10 Tetor 2020, 17:30 | Bota

Në Korenë e Veriut nuk ka asnjë rast me koronavirus. Këtë e tha lideri Kim Jong-un gjatë një parade të pazakontë ushtarake e mbajtur gjatë natës, me rastin e 75-vjetorit të Partisë Popullore në pushtet.

Peniani i shfrytëzon zakonisht paradat ushtarake për të ekspozuar raketa dhe artileritë e reja. Ekspertët thanë se raketa balistike ndërkontinentale u panë gjatë ceremonive mëngjesin e së shtunës. Ngjarja, e shënuar me një sërë koncertesh e aktivitetesh, shfrytëzohet, gjithashtu, nga udhëheqësi autoritar si mundësi për të përcjellë mesazhin e tij brenda dhe jashtë vendit.

“I uroj shëndet të gjithë njerëzve që po luftojnë me sëmundjen e shkaktuar nga ky virus i keq”, tha Kim Jong-un, 10 ditë pasi Presidenti amerikan njoftoi se ishte prekur nga Covid-19. 

Në video, Kim shfaqet pasi ora shënoi 12 e natës. I veshur me kostum gri dhe kollare, ai përshëndeti turmën dhe pranoi lule nga një fëmijë, ndërsa rrethohej nga zyrtarë të lartë ushtarakë.

https://www.youtube.com/watch?v=XNbcybSduK0

Në dukje i emocionuar, Kim falënderoi ushtrinë që, siç tha, punoi fort për t’iu përgjigjur katastrofave natyrore dhe për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ndërsa pjesëmarrësit në aktivitetet e tjera u shfaqën me maska, në paradë askush nuk mbante një të tillë.

Peniani nuk raporton më raste të brendshme me koronavirus, por Koreja e Jugut dhe SHBA kanë dyshime mbi këtë fakt. Kim tha në fjalim se vendi do të vazhdonte të fuqizonte kapacitetet ushtarake për vetëmbrojtje dhe parandalim.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos