
Parlamenti Europian rinisi punimet në Strasburg, mes protestave të nacionalistëve katalanas dhe deputetëve të partisë së Brexit. Jo të gjithë u çuan në këmbë në momentin kur po luhej himni evropian, me deputetët e partisë së Nigel Farazh që kthyen shpinën.
“Të ngrihesh në këmbë është çështje respekti, edhe nëse nuk ndan të njëjtat pikëpamje për Bashkimin Europian”, deklaroi presidenti i PE, Antonio Tajani.
Liberaldemokratët, proeuropian inskenuan gjithashtu protestën e tyre, duke veshur bluza me shkrimin ‘Stop Brexit’
Ndërkaq, jashtë parlamentit, qindra katalanas protestuan kundër mungeses se tre deputetëve separatistë, mes të cilëve ish presidenti i Katalunjës, Carles Puigdemont. Brenda godinës, u vendosën fotot e tre përfaqësuesve katalanas, në vendet ku ata duhej të uleshin.
Sesioni i parë parlamentar, pas zgjedhjeve të muajit maj, zhvillohet ndërsa liderët e unionit nisën ditën e tretë të bisedimeve se kush do të marrë postet kyçe. Disa prej tyre u shprehën optimistë për një zhvillim pozitiv, një ditë pasi Italia dhe shtetet e Vishegradit refuzuan kompromisin për emërimin e holandezit Frans Timmermans në krye të Komisionit Europian.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se do të ishte i lumtur të vihej një grua në krye të komisionit, ndërsa Merkel apeloi për kompromis. (A2 Televizion)