Parlamenti Europian shpall votimet në tërësi: Shqipëria të përmbushë 15 kushtet

Nga A2 CNN
20 Qershor 2020, 08:47 | Politikë
Parlamenti Europian shpall votimet në tërësi: Shqipëria

Parlamenti Europian shpalli mbrëmë vonë rezultatet e votimeve në tërësi për vendimet e tij, ku bën pjesë dhe rezoluta për “Ballkani Perëndimor“. Një pjesë e saj lidhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë, ku theksohet se Shqipëria duhet të përmbushë 15 kushtet e Bashkimit Europian para konferencës ndërqeveritare dhe para fillimit të negociatave.

Rezoluta  mori edhe më shumë vota, sesa kur u miratua në parim. Nga 665 vota, rezoluta kaloi me 532 vota pro, 70 vota kundra dhe 63 abstenime. Shumica prej 76% tregon një konsensus të gjerë në Parlamentin Europian për zgjerimin në Ballkan, por edhe për kushtet që duhet të përmbushë qeveria Rama përpara konferencës së parë ndërqeveritare për nisjen e bisedimeve.

https://a2news.com/2020/06/19/pe-miratoi-amendamentin-rama-nuk-jane-15-kushte/

Kushtet u vendosën nga Këshilli Europian me propozimin e Gjermanisë, Francës, Holandës, Danimarkës dhe Spanjës në mars të këtij viti.

15 kushtet që duhen përmbushur nga qeveria, përpara nisjes së konferencës së parë ndërqeveritare janë si më poshtë:

1- Miratimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR
2- Financim transparent i partive politike dhe i fushatave elektorale, duke siguruar zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë në konsideratë, ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë opinionin e Komisionit të Venecias.
3- Finalizimi i ngritjes së strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
4-Forcimi më tej i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
5- Trajtimi i fenomenit të azilkërkimit të pabazë dhe riatdhesimet.
6- Rishikimi i Ligjit të Medias në linjë me rekomandimet e Komisionit të Venecias
7- Nisja e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kanë kaluar vetingun
8- Nisja e procedimeve penale kundër atyre që janë akuzuar për blerjen e votës.
9- Prova të vazhdueshme në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve kundër zyrtarëve të lartë publikë dhe politikanëve.
10- Progres i prekshëm, në lidhje me reformën në administratën publike
11- Zbatimi i reformës zgjedhore
12- Vendim final për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019.
13- Progres i mëtejshëm për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e minoriteteve.
14- Adoptimi i ligjit për censusin e popullatës në përpujthje me rekomandimet e Këshillit të Europës
15- Avancimi me procesin e regjistrimit të pronave. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2020/06/19/amendamenti-me-15-kushte-kashahu-pa-u-plotesuar-nuk-zhvillohet-konferenca-e-pare-nderqeveritare/

A2 CNN Livestream

Latest Videos