"Manifaktura në fije të perit" Bizneset paralajmërojnë mbyllje fabrikash nga paketa fiskale 2027

Nga Marjo Brakaj
26 Nëntor 2026, 15:11 | Ekonomi

"Manifaktura në fije të perit" Bizneset

Miratimi i ndryshimeve fiskale siç i propozoi qeveria do të shkurtojë 50 vende pune çdo ditë në sektorin e manifakturës. Teksa paralajmërojnë “dëme pa mundësi kthimi”, përfaqësues të sektorit paralajmërojnë “largim të kësaj industrie nga Shqipëria”.

“Sektori numëronte rreth 75 mijë të punësuar në vitin 2024, sipas statistikave sektoriale të raportuara mbi bazën e INSTAT-it, duke evidentuar peshën e tij në punësimin industrial, sot rreth 50 mijë të punësuar. Kjo ecuri, së bashku me forcimin e lekut ndaj euros, rritjen e kostove dhe vështirësitë në sigurimin e fuqisë punëtore, kërkon vëmendje të veçantë ndaj konkurrueshmërisë së industrisë eksportuese”, deklaroi Florian Zekja, kryetar i “Manifaktura Shqiptare.

Për të shmangur skenarin e “shkatërrimit pa mundësi kthimi”, përfaqësuesit e një prej sektorëve më të mëdhenj të punësimit kërkojnë heqjen e pragut të pa-tatueshëm të pagave në 60 mijë lekë në muaj për të gjithë punëmarrësit.

“Kërkojmë rritjen e pragut të patatueshëm në 60,000 lekë në muaj për të gjithë punëmarrësit, duke tatuar vetëm pjesën e të ardhurave që tejkalon këtë shumë. Në një industri me intensitet të lartë punësimi, kjo masë do të rriste pagën neto të punonjësve që përfitojnë nga ndryshimi, pa rritur koston bruto të pagës për ndërmarrjet, duke mbështetur fuqinë blerëse dhe ruajtjen e punësimit formal”, u shpreh Florian Zekja, kryetar i “Manifaktura Shqiptare.

Përfaqësues nga manifaktura kërkojnë rishikimin e propozimit për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8 për qind në 15 për qind. Kjo në kushtet e nënçmimit të vijueshëm të euros.

“Rishqyrtimi i normës 15% Paketa Fiskale 2027 propozon rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, që përfaqëson një rritje prej 87.5% të detyrimit tatimor mbi të njëjtën shumë dividendi të shpërndarë. Për një industri që ka nevojë për kapital, teknologji dhe modernizim të vazhdueshëm, kërkojmë rishqyrtimin e normës së propozuar dhe vlerësimin e ruajtjes së normës 8%, së bashku me mekanizma fiskalë që nxisin konkretisht investimet në makineri, teknologji dhe zgjerim kapacitetesh”, tha Florian Zekja, kryetar i “Manifaktura Shqiptare.

Sipërmarrës në sektorin e manifakturës kërkojnë ngritjen e fondeve të dedikuara dhe skemave të granteve për industrinë prodhuese dhe eksportuese, me fokus modernizimin teknologjik, automatizimin, eficiencën energjetike dhe rritjen e vlerës së shtuar të prodhimit vendas. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos